Ka një kohë të gjatë që kur pritoret e autobusëve në kryeqytetin e Kosovës po ndërrohen sa herë që ndërrojnë qeverisjet në qytet.
Në disa lagje po pengohet edhe pjesa e komunikacionit, për shkak të numrit të madh të udhëtarëve të cilët presin.
Me gjithë këtë fakt, Gent Sejdiu menaxher i projektit për reformën e transportit publik urban të komunës së Prishtinës tha se projekti për pritoret e reja është në implementim e sipër.
“Projekti i pritoreve është në implementim e sipër, gjithsej 150 pritore janë të planifikuara në kryeqytet. Janë 4 lloje të pritoreve të autobusëve dhe implementimi ka filluar nga zona qendër dhe tani zonat jashtë qendrës e tutje”, tha ai.
Ndër të tjera, ai shtoi se deri në fillimin e vitit 2025, do të ketë një reformë në linjat urbane të transportit, ku sipas kësaj reforme do të ketë edhe stacione të reja.
“Këtë vit fillojmë reformën e linjave urbane të transportit e cila duhet të përfundon deri në fund tre mujorit të parë të vitit 2025. Kjo reformë na përcakton edhe ku duhet të kemi stacionet e reja dhe cilin model në lagjet tjera të qytetit”, tha ai.