Kur’ani Famëlartë po të zbatohet, kuptohet dhe interpretohet drejt dhe me përpikëri, është e vetmja shpallje hyjnore dhe i vetmi libër i shenjtë që i sjell lumturi njeriut si individ, familjes, shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.
Kur’ani në të gjitha ajetet kuranore që në fillim e gjer në mbarim këshillon, edukon dhe mëson vetëm për kryerjen e veprave të mira, me udhëzime lumturuese për punëmirët dhe me paralajmërime shkatërrimtare për keqbërësit.
Zbatimi i këshillave dhe udhëzimeve kuranore që i sjellin njeriut lumturi dhe mirëqenie në këtë jetë dhe në jetën e përtejme konsistojnë në adhurimin e Zotit Një, krijuesit të qiellit dhe tokës dhe në kërkimin e ndihmës së tij për zgjidhjen e çdo problemi apo për realizimin e çdo dëshire dobiprurëse.
Zbatimi i këshillave dhe udhëzimeve kuranore mbështeten në drejtësinë, mëshirën, solidaritetin dhe ndihmën e ndërsjellë midis njerëzve.
Mysliman i devotshëm konsiderohet vetëm besimtari që e adhuron dhe i frikësohet Allahut Një, që fal namazin dhe jep zekatin nga pasuria që e posedon.
Zekati përbën dhënien e një pjesë të caktuar nga pasuria e myslimanit si shenjë adhurimi ndaj Allahut, që është i obliguar ta jep myslimani i devotshëm, për të ndihmuar, të varfëritë, nevojtarët dhe udhëtarët gjatë vështirësive që hasin në udhëtimin e tyre.
Sipas Kur’anit nuk konsiderohet besimtar i devotshëm myslimani i cili e ka sofrën e vet plot, ndërsa fqinji, ose farefisi i tij e kanë sofrën e zbrazët.
Sipas Kur’anit nuk konsiderohet besimtar i devotshëm myslimani që kryen punë të liga, që është shpifës i së keqes, ngatërrestar dhe që nuk e respekton drejtësinë, mëshirën dhe solidaritetin.
Profeti Muhamed është profeti i fundit dhe personaliteti shembullor i papërsëritshëm njerëzor për paqe, fisnikëri, tolerancë, mëshirë, bamirësi dhe harmoni mbarë njerëzore.
Profetit Muhamed i është shpallur Kur’ani Famëlartë nga engjëlli Xhebrail në kohëzgjatje prej 23 vitesh. Ky libër i shenjtë është udhëzim dhe paralajmërim për mbarë njerëzimin.
Kur’ani hyjnor nëpërmjet Profeti Muhamed përçon udhëzimet profetike të Zotit të Madhërishëm, Krijuesit të botës në këtë jetë dhe në jetën e përtejme, dhe tregon rrugën e drejtë dhe të vetme, se vetëm duke e adhuruar me devotshmëri Zotin e Madhërishëm, me besim të sinqertë dhe vetëm duke kryer punë të mira e të dobishme për njëri tjetrin, mund të bëjmë një jetë të lumtur për veten tonë, për familjen, dhe shoqërinë në zgjidhjen e konflikteve individuale, familjare, shoqërore dhe mbarë njerëzore.
Kur’ani që nga fillimi e gjer në fund i konsideron mëkat të madh dhe të dënueshme nga Zoti i Madhërishëm veprat e liga dhe të dëmshme që nuk e respektojnë mëshirën , respektin dhe ndihmën e ndërsjellë në familje dhe në shoqërinë në tërësi.
Majkël Hart, historian amerikan, në librin e tij “The 100, a ranking of the most influential person in history” (100 njerëzit më me ndikim në histori), e ka vendosur Profetin Muhamedi, të dërguarin e All-llahut në vendin e parë në historinë e njerëzimit, ku ka thënë, “E kam zgjedhur Muhamedin të jetë i pari në listën, edhe pse sigurisht do të habiten shumë për këtë përzgjedhje dhe kanë të drejtë, por Muhamedi është njeriu i vetëm në histori që ka pasur sukses në nivel fetar dhe të kësaj bote. Ai është udhëheqës politik, komandant ushtarak, prijës fetar , dhe pas kalimit të 13 shekujve nga vdekja e tij, ndikimi i Muhamedit vazhdon të jetëi fuqishëm dhe i freskët”.
Thënia e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Profetit Muhamed.
Veprat më të liga janë ato të shpifurat që çojnë në lajthitje dhe lajthitja çon në zjarr.
Sipas Kur’anit falenderimi i takon vetëm Allahut dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Nga Allahu kërkojmë mbrojtje prej gabimeve të vetes s’onë dhe veprimeve tona të liga . Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon Allahu nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se Allahu është një dhe se Profeti Muhamed është i Dërguari i tij.
Bekir Halimi, studiues i Fesë Islame dhe autor ilibrit me titull “ I këtillë ishte Muhamedi Sal-la lallahu Alejhi Vesel-lem”, ka dhënë një kontribut i vyer për vërtetësinë e personalitetit të Profetit Muhamed mbështetutr në fakte Kur’anore, të dijetarëve dhe të biografëve që flasin për jetën, pamjen, virtytet dhe veprimtarinë e Profetit Muhamed.
Fytyra e Profetit Muhamed ishte e bukur, e rrumbullakët, e ndritshme dhe e bardhë në të kuqe që shkëlqente si një copë e Hënës. Ballin e kishte të gjerë që vetëtinte si dielli. Djersët e tij në fytyrë dukeshin si margaritarë dhe era e djersëve ishte më e këndshme se mysku.
Kur zemërohej, dukej sikur shega ta kishte derdhur ngjyrën e vet në faqet e tij të llëmuara. Vetullat i kishte si hark por jo të bashkuara. Sytë i kishte të mëdhenj, e bardha e syrit e përzier me të kuqe, beben e syrit e kishte shumë të zezë dhe qerpikët të gjatë e të dendur.
Gojën e kishte të bukur dhe të madhe. Kur buzëqeshte dhëmbët e tij dukeshin si margaritarë. Mjekrën e kishte të bukur e të dendur, që i mbulonte fytin dhe një pjesë të gjoksit. Ballin e kishte të gjerë, kokën e madhe dhe qafën e gjatë. Flokët i kishte pak kaçurrela të ndara në mes.
Gjymtyrët, shpatullat dhe gjunjët i kishte të mëdha. Duart i kishte më të buta se mëndafshi. Trupi i tij ishte i drejtë, i fortë jo shumë i shëndoshë, nga shoqëruesit e tij dukej më i gjatë. Profeti Muhamed ecjen e kishte të shpejtë. Këmbët në tokë i vinte plotësisht sepse i kishte të shtruara. Kur dëshironte të shihte anash kthehej me tërë trupin. Ecte lehtë dhe shpejt.
Profeti Muhamed fliste qartë, rrjedhshëm dhe kuptueshëm. Allahu ia kishte dhënë mundësinë që me pak fjalë të shprehte shumë kuptime. Personaliteti i tij mbështetej në parimet e veta dhe qëndrueshmërinë e tij në këto parime, të stolisura me moral të lartë, sjellje korrekte me dashamirët dhe miqtë, modesti dhe thjeshtësi larg çdo komplikimi dhe shtirjeje.
U mbeti besnik tërë jetës parimeve të veta, e kumtoi shpalljen hyjnore dhe i përhapi mësimet fisnike, të cilat shumica e atyre që e armiqësojnë dhe e ofendojnë nuk i njohin sa duhet këto mësime tejet të dobishme pë jetën tonë.
Profeti Muhamed i ka të përmbledhura të gjitha tiparet e mirësisë dhe të gjitha tiparet e plota njerëzore, që i shpresojnë dhe dëshirojnë njerëzit e mençur, e që janë në përputhje me natyrën e njeriut.
Profeti Muhamed ishte burim i dashurisë, ngrohtësisë së ndjenjave, emocioneve dhe dhembshurisë për familjen e vet dhe jashtë familjes.
Edhe pse kishte obligime dhe detyra të mëdha e me përgjegjësi, si kryetar shteti, komandant ushtrie, udhërrëfyes shpirtëror dhe i moralit të popullit të vet, ai nuk neglizhonte të jetë i dashur dhe i afërt me familjen e vet, duke u ndihmuar grave edhe në punët e shtëpisë.
Profeti Muhamed e respektonte të vërteten dhe drejtësinë dhe gjykonte sipas tyre. I dobëti trajtohej si i fuqishmi derisa ta merrte hakun e vet, kurse i fuqishmi trajtohej si i dobëti derisa të merrej hakun nga ai.
Fisi Mahzum kishte kërkuar ndërmjetësim te Profeti Muhamed për ta shpëtuar nga dënimi nje grua që kishte vjedhur. Profeti Muhamed i hidhëruar nga ky gjest, tha: ” Pasha Allahun , nëse Fatimeja , bija e Muhamedit do të kishte vjedhur, do t’ia kisha prerë dorën”.
Profeti Muhamed dallohej shumë edhe për nga morali i lartë me të afërmit dhe të largëtit, me miqtë dhe armiqtë. Njerëzit i takonte me buzëqeshje dhe gojëmbël, të keqen e kthente me të mirë dhe nuk merrej me punë të ulëta.
Kur ithtarët e tij kërkuan nga Profeti Muhamed që të lutet kundër idhujtarëve, ai u përgjigj, “Nuk jam dërguar si mallkues, por jam dërguar si mëshirë”.
Para 14 shekujve kur Profeti Muhamed ishte kryetar shteti, kishte pushtet dhe fuqi dhe kishte shokë dhe ithtarë që ishin të gatshëm të bëjnë çmos për ta mbrojtur, disa çifutë dashakeq kinse po e përshëndesin i thanë Profetit Muhamed “ Vdekja qoftë për ty”, ndërsa Profeti Muhamed ua ktheu përgjigjen , “Edhe për Ju”. Kur e dëgjoi Aisheja bashkëshortja e tij këtë reagim të butë u nevrikos tejmase , dhe u dha përgjigje me mallkime dhe ofendime çifutëve. Profeti Muhamed reagoi ndaj kësaj sjellje të Aishes, duke i thënë , “ Ngadalë o Aishe , sepse Allahu e do mirësinë në të gjitha çështjet”.
Sot ka njerëz mediokër dhe dashakeq që e akuzojnë Profetin Muhamed se gjoja ka qenë kundër shkencës dhe civilizimit. Mirëpo e vërteta është se Profeti Muhamed ishte ai që i vendosi themelet e shkencës dhe të civilizimit, mbi të cilat u ngrit Shteti Islam dhe e ngjalli rruzullin tokësor për shekuj me radhë.
Profeti Muhamed është pishtar i shkencës dhe civilizimit, sepse edhe fjala e parë e Kur’anit që iu shpall është “IKRE”
Me këtë rast nuk duhet lënë pa përmendur edhe ngritjen e universiteteve dhe bibliotekave të mëdha në Bagdad, Kajro, Kajrevan, Andaluzi (Spanjë) dhe kujdesin për shkencën dhe shkencëtarët, sa që në kohën e Harun Rashidit përkthimi i një libri dhe përpilimi i tij paguhej me flori, aqë sa peshonte libri, aqë flori i jepej autorit.
Myslimanët për fat të keq sot janë në një gjendje të mjerueshme dhe në prapambetje, për vetë faktin se janë larguar nga Kur’ani, janë larguar nga porositë e Profetit Muhamed.
Profeti Muhamed para 14 shekujve tregoi mëshirë dhe respekt ndaj femrave. Para ardhjes së Profetit Muhamed gruaja nuk kishte aspak të drejta, nënçmohej, poshtërohej, madje edhe varrosej e gjallë.
Profeti Muhamed gruas ia dha lirinë dhe jetën normale, duke e konsideruar dhe nderuar të barabartë me mashkullin. Sjellja e mirë ndaj femrës u bë kriter i mirësisë së pasuesve të tij , duke thënë, “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë ndaj grave të veta”. “ Besimtarë më të mirë janë ata që kanë moralin më të mirë, kurse më të mirët në mesin e tyre janë ata, që janë më të mirë ndaj grave të tyre”. “Silluni butë me gratë, sepse janë shumë të ndjeshme”, “ Ua ndaloj kategorikisht të nëpërkëmbni të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas”. Profeti Muhamed edhe në momentin e fundtit të jetës së tij e dha amanetin , “Ju porosis që të silleni mirë me gratë”.
Profeti Muhamed nuk ishte i mëshirshëm vetëm ndaj ithtarëve të vet, por ishte i mëshirshëm edhe ndaj kundërshtarëve të vet qofshin hebrenjë apo të krishterë.
Një fqinj çifut çdo ditë para shtëpisë së Profetit Muhamed hidhte mbeturina. Profeti Muhamed këtë vepër të keqe nuk e përballonte me ashpërsi, por e pastronte këtë bërllok, sepse jetonte për qëllime fisnike dhe mendonte për shpëtimin e njerëzimit nga vështirësitë.
Një ditë hedhja e bërllokut u ndërpre dhe Profeti Muhamed shkoi ta vizitojë çifutin në shtëpi ku e gjeti të sëmurë. Kjo vizitë e befasoi për së miri çifutin, i cili pa mëdyshje hyri në fenë Islame.
Kjo tregon për mëshirën dhe dhembshurinë e Profetit Muhamed edhe ndaj njeriut që i nxirrte lloj lloj pengesash me bërllokun.
Profeti Muhamed nuk ishte i ashpër dhe i vrazhdët. Idhujtarët e munduan, e keqtrajtuan, e internuan, mirëpo këto sjellje të tyre Profeti Muhamed i ktheu në bamirësi, mëshirë dhe kujdesej shumë që ata të udhëzohen.
Kur Profeti Muhamed shkoi në Taifi për t’i ftuar idhujtarët në Islam, në shpëtim, ata e refuzuan dhe e gurëzuan duke e përgjakur. Kur arrijti Xhibrili me melekët të hakmerren, Profeti Muhamed dha një përgjigje që ka hy në histori, ”Allahu im, falja popullit tim, sepse këta nuk dijnë”.
Profeti Muhamed ishte komandant i respektuar, shok i dashur, dhe i lartësuar me nderim dhe që askush nuk ia kundërshtonte urdhrin. Profeti Muhamed i donte të fukarenjtë, kishte dhembshuri ndaj tyre, rinte me ta , bisedonte, solidarizohej dhe mundohej ta fus gëzimin në zemrat e tyre.
I huaji që vinte nga larg kishte të drejtë për ushqim, veshmbathje , strehim , punë, shëndet dhe arsim.
Popujt në botën e sotme kanë nevojë të madhe për një administratë të mbikëqyrur nga sistemi moral , që i lehtëson marrëdhëniet midis njerëzve, dhe i jep secilit hakun e vet, që të mos humbin kohë pas procedurave të komplikuara dhe të drejtave të cenuara.
Profeti Muhamed ishte mëshirë për të gjithë. Baza e administratës së Profetit Muhamed ishte lehtësimi i procedurave, duke i urdhëruar nëpunësit që të jenë të pastër e të moralshëm në sjelljen e tyre me njerëzit.
Kur i dërgoi në Jemen Muadhin dhe Ebu Musa Eshariun si gjykatës u tha,” Përgëzoni dhe mos largoni, dhe mos vështirësoni”.
Administrata e Profetit Muhamed kishte seriozitetin dhe vendosmërinë, duke ndaluar kategorikisht që të përcaktohet nëpunës një person, duke pasur të tjerë më të aftë se ai. Administrata e Profetit Muhamed ishte shumë e vendosur në llogaridhënie të nëpunësve dhe atyre që bëjnë lëshime gjatë punës.
Profeti Muhamed thoshte, “Një dënim shumë i madh i pret ata që mashtrojnë me veprimet e tyre , dhe ky dënim është privimi nga Xheneti, me të cilin i ka përgëzuar të gjithë njerëzit.
Profeti Muhamed kishte mëshirë edhe ndaj kafshëve dhe shpezëve, duke ndaluar që kafsha të ngarkohej më shumë se mund të mbajë. Ndaloi që kafshës t’i jepej pak ushqim, ndaloi që kafsha të vritet pa të drejtë, ndaloi që kafsha të bëhej shënjestër stërvitjeje për gjuetarë, sepse kjo ishte keqtrajtim i kafshëve.
Profeti Muhamed e ndaloi që njerëzit të bëjnë gara për argëtim duke i vënë të kacafyten kafshët etj. Mëshirë të njëjtë Profeti Muhamed kishte edhe për shpendët.
Duke urdhëruar me ithtarët e tij Profeti Muhamed vërejti se ithtarët i kishin marrë nga çerdhja zogjtë e një bylbyli, dhe urdhëroi që zogjtë të kthehen në çerdhen bilbilit të trishtuar.
Profeti Muhamed ka arritur të ofrojë një organizim preciz dhe homogjen, ku gërshetohen kërkesat e shpirtit me ato të trupit. I solli diçka të re botës, ku përzihen gjërat shpirtërore me ato materiale në një harmoni aqë të përkryer sa që nuk ishte parë më herët, duke ndërtuar një shtet ku s’ka jetë pa fe dhe një fe që është e aftë të krijojë një shtet të drejtë.
Profeti Muhamed arrijti t’i shërojë plagët e shpirtit , që i kishte shkaktuar jeta materialiste dhe ta mbush zbrazëtinë e shkaktuar nga largimi i njerëzve ndaj kujdesit për shpirtin.
Profeti Muhamed ishte një mësues i sinqertë shpirtëror, një politikan i pastër dhe një qeveritar i drejtë. Kjo i ndihmoi t’i bashkojë shumë fise të egra dhe që ishin në luftë mes tyre, duke ndërtuar lavdinë dhe duke ngritur jetën nën flamurin e besimit në Allahun.
Ajo që e dallonte jetën e Profetin Muhamed dhe fenë e tij prej feve dhe ideologjive tjera ishin mësimet e prera, që ua kishte dhënë ithtarëve të vet, që të kujdesen për pastërtinë dhe ta ruajnë ambientin.
Profeti Muhamed i mësoi pasuesit e tij që t’i lajnë gjymtyrët e trupit, fytyrën, hundën, gojën, duart, këmbët pesë herë në ditë, ndërsa larjen e trupit sa më shumë, por së paku një herë në javë, dhe sa herë që njeriu bëhet xhunub.
Profeti Muhamed ka këshilluar që të mos ndoten vendet me mbeturina afër njerëzve. I ka mësuar myslimanët të pastrohen pas kryerjes së nevojës. I ka mësuar t’i pastrojnë rrobat nga ndyrësirat.
Profeti Muhamed para 14 shekujve ua ka mësuar myslimanëve parimin e karantinës, që të mos hyjnë e dalin nga një vend ku ka epidemi, që edhe sot karantinimi është bërë i domosdoshëm për mbrojtjen nga KOVID-19 që e ka pllakosur botën.
Profeti Muhamed tërë këto aktivitete i ka bërë për ta mbrojtur shëndetin e njerëzimit.
Njeriu që sot jeton në një kohë me shumë presione shoqërore dhe sëmundje psikike, ka nevojë të madhe për një buzëqeshje të ngjashme me atë të Profetit Muhemed dhe të pasuesve të tij, për t’i tejkaluar vështirësitë e jetës dhe presionet e shoqërisë që shkaktojnë kriza psikike, që e vështirësojnë jetën e njeriut, duke e rrezikuar lumturinë dhe rehatinë shpirtërore.
Profeti Muhamed e preferonte lehtësimin për njerëzit dhe nuk e donte vështirësimin e punëve për njerëzit, ai thoshte, “ Përgëzoni dhe mos largoni, lehtësoni dhe mos vështirësoni”., “Jeni dërguar që të lehtësoni e jo që të vështirësoni”.
Në historinë e njerëzimit hasim personalitete dhe udhëheqës, të cilët gjatë fitoreve apo humbjeve të tyre, si cilësi të përbashkët e kanë patur hakmarrjen, cilësi e cila nuk është e pranishme te Pejngamberët e Allahut.
Profeti Muhamed është shembulli më bindës ne këtë drejtim. Edhe pse ishte i dëbuar nga Mekeja , edhe pse i ishin uzurpuar pronat dhe pasuria, edhe pse ishte lënduar rëndë gjatë fillimit të përhapjes së Shpalljes Hyjnore, edhe pse kishte pësuar edhe shumë peripeci tjera, ai kur hyri si ngadhënjimtar dhe fitimtar në Meke, madhështia e personalitetit të tij nuk e lejuan që të hakmerret, por e fali secilin që i kishte bërë zullum.
Profeti Muhamed bëri amnisti të përgjithshme, edhe pse kishte mundësi të hakmerret ashpër ndaj ndaj keqbërësve.
Profeti Muhamed ua tha të gjithëve një fjali që ka hy në histori, “ Shkoni se jeni të lirë”. Kështu Profeti Muhamed i edukonte ithtarët e vet që të pasurohen me moral të lartë dhe të çlirohen nga përkufizimet subjektive egoiste.
Allahu i Madhërishëm për këtë sjellje e ka urdhëruar Profetin Muhamed edhe në Kur’an, “ Ti (Muhamed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve”.
Profeti Muhamed sillej si njeri i rëndomtë dhe veprimet e përditshme bënin pjesë në personalitetin e tij. Kështu që edhe sporti ishte pjesë përbërëse e jetës së tij. Ai merrej me vrapim, mundje dhe kalorësi, dhe i nxiste edhe shokët që të merren me sport për ta forcuar trupin dhe për tu argëtuar në dobi të shoqërisë, duke mos shkaktuar dëme në pasuri, në shpirt dhe në moral.
Profeti Muhamed në mes të shkretëtirës, në një vend që nuk njihte civilizim dhe qytetërim ndërtoi një sistem arkitektonik superior të dalluar, duke marrë në konsideratë interesin e shtetit dhe të shoqërisë .
Xhamia ishte qendra e kryeqytetit, aty ishte qendra e udhëheqjes dhe e tubimeve gjatë ndodhive të rëndësishme dhe emergjente.
Xhamia ishte edhe strehimore e të varfërve derisa shteti dhe shoqatat humanitare t’u siguronin ushqim, veshmbathje dhe strehim. Ishte strehimore edhe për të huajt që që vinin nga jashtë. Planifikimi urbanistik asokohe parashihte ndërtimin e çarshisë dhe tregut përreth xhamisë, që të jetë më lehtë për tregtarët dhe blerësit, si edhe komunikimi me xhaminë dhe faljen e namazit.
Në qytetin e Profetit Muhamed populli ishte një tërësi e lidhur mes vete dhe të gjithë informoheshin për ndodhitë pa asnjë dallim.
Studiuesit habiteshin me aftësitë e mëdha të Profetit Muhamed, për ta shndërruar një popull të pashkolluar që nuk dinte shkrim e lexim në një popull që mburrej me dijen dhe dijetarët që zunë pozita shumë të larta në shtet dhe shoqëri.
Kjo tregon se Profeti Muhamed ka patur aftësi të madhe pedagogjike, ka qenë orator elokuent, ligjërues i mrekullueshëm dhe pedagog i suksesshëm.
Profeti Muhamed i stimulonte vazhdimisht ithtarët e tij që ta shtojnë diapazonin e dijes së tyre , duke u thënë, “Kërkimi i dijes është detyrim i çdo myslimani”.
Profeti Muhamed me sjelljet e tij me mirësi e mëshirë dallohej edhe në luftë, edhe atëherë kur duhej të tregonte ashpërsi e vrazhdësi.
Profeti Muhamed me moralin e tij fisnik dhe mësimet e larta të zbritura nga Allahu, pa marrë parasysh kush ishte armiku i vet nuk e thyente marrëveshjen derisa nuk e thyente pala tjetër.
Pa marrë parasysh kush e kishte epërsinë në luftë ai nuk i keqtrajtonte të plagosurit e as robërit, nuk i masakronte kufomat e tyre, madje edhe ushtarëve të vet ua ndalonte që të bëjnë kësi veprimesh pa marrë parasysh se çfarë ndodhte, duke i dhënë njerëzimit shembuj fisnikë të sjelljes korrekte gjatë luftës.
Në një prej betejave vendimtare ku luftonte edhe Profeti Muhamed, Aliu radijAllahu anhu, vërejti një ushtar të mbuluar në kokë, duke i masakruar kufomat, dhe këtë vepër e bëri edhe ndaj Hamzasë radijAlllahu anhu.
Kjo pamje e nervozoi shumë këtë komandant dhe vendosi t’i hakmerret këtij ushtari armik duke e zhdukur. Kur iu afrua u befasua, se ky ushtar nuk ishte burrë, por ishte një grua e veshur me rroba burri.
Kjo gjë e vuri në dilemë . A të hakmerret apo ta falë, ngadhënjeu falja, e cila ishte rezultat i edukimit nga Profeti Muhamed.
Çfarë madhështie është kjo ?! Ç’farë respekti i madh është ky ndaj gruas, edhe kur është në radhët e armikut . Kjo është madhështia e Profetit Muhamed dhe e shokëve të tij.
Sot edhe pse ka marrëveshje dhe konventa ndërkombëtare, sërish robërit e luftës persekutohen dhe keqtrajtohen fizikisht dhe psiqikisht, dhe u shkelen të drejtat njerëzore në mënyrë flagrante.
Profeti Muhamed që para 14 shekujve i përcaktoi botës një metodologji humane njerëzore për sjelljet ndaj robërve të luftës, të cilën po ta zbatonim sot do të dilnim nga kriza e robërve të luftës në të cilën ndodhemi.
Profeti Muhamed e ka ndaluar kategorikisht, që të shkelen të drejtat e robërve të luftës pa marrë parasysh arsyetimet e ndryshme. Sipas mësimeve të Profetit Muhamed, nuk lejohet që robërit të keqtrajtohen fizikisht e psiqikisht, nuk lejohet të shahen, ofendohen , t’u ndërpritet ushqimi dhe uji.
Këto sjellje përmenden edhe Kur’anin Famëlartë, ku përshkruhen ithtarët e Profetit Muhamed, ku thuhet se “ Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër”.
Profeti Muhamed është shembulli më i mirë kundër luftërave të pamoralshme, ku shkelen të drejtat e robërve të luftës, gjë që tregon për mirësinë e karakterit dhe të virtyteve te tij, për çka mund të shkruhen libra të pafund.
Muaji i Shenjtë i Ramazanit, është muaji në të cilin engjëlli Xhebrail filloi t’ia zbret Profetit Muhamed Kur’anin Famëlartë.
Muaji i Shenjtë t Ramazanit, është muaji i adhurimit të Allahut Një, është muaji i mëshirës, bamirësisë dhe solidaritetit.
Muaji i Shenjtë i Ramazanit është muaji i cili ndihmon në fisnikërimin dhe pastrimin e shpirtit të besimtarëve nëpërmjet adhurimit të Allahut, faljes së namazit, leximit të Kur’anit dhe ndihmës të varfëve.
Muaji i Shenjtë i Ramazanit nëpërmjet agjërimit troket në ndërgjegjen e besimtarit, ia kujton myslimanit çdo të thotë të jesh i uritur për ushqim dhe e etur për ujë.
Këto janë mesazhet që dalin nga ky libër për jetën dhe veprimtarinë e Profetii Muhamed, mbi bazën e Kur’anit, të dijetarëve dhe të biografëve të Profetit Muhamed, të këtij personaliteti njerëzor shembëlltyre të papërsëritshme, që duhet t’i dijë çdo mysliman dhe jomysliman për ta kuptuar të vërtetën për Kur’anin dhe Profetin Muhamed.