Duhet hedhur poshtë miti se makaronat të shëndoshin, pasi jo të gjitha llojet e bëjnë një efekt të tillë.
Kështu, nëse nuk heqim dot dorë nga makaronat dhe njëkohësisht duhet të mbajmë dietë, duhet të ndjekim një strategji të re.
Makaronat e bëra me grurë të fortë janë ideale. Në supermarkete, ato i gjejmë me shënimin plotësues “pasta di semola di grano duro”.
Përsa i përket kohës së zierjes, këshillohet ajo e shpejtë, pasi dihet se makaronat që nuk janë zier plotësisht kanë një tregues glicemik më të ulët në krahasim me makaronat e ziera shumë. Pra, zgjidhni opsionin al dente, pasi tretja është më e ngadaltë dhe kjo jep ndjesinë e ngopjes, duke favorizuar mundësinë e rënies në peshë.
Ndërsa në lidhje me produktet që u shtohen për më shumë shije, bëni kujdes me yndyrnat. Zgjidhni vajin e ullirit në vend të gjalpit apo margarinës. Shmangni panën, mishin e grirë apo proshutën.
Gjithashtu, salca e përgatitur vetë është ideale. Nëse nuk ju gjendet një e tillë, mjaftojnë disa perime të grira që kalohen në tiganin me vaj ulliri dhe pjata është gati.