Koronavirusi nuk është diçka për tu marrë me lehtësi: Vetëm në SHBA tashmë kemi më shumë se 423.000 viktima nga virusi.
Ndërsa shumica e njerëzve kalojnë një infeksion pa pasur nevojë të shkojnë në spital, të tjerët mund të përjetojnë forma më serioze të Covid-19- të cilat mund të vijnë nga shumë faktorë të ndryshëm, duke përfshirë moshën, gjininë dhe kushtet e tjera shëndetësore, shkruan Best Life.
Tani, hulumtimi i ri ka zbuluar se ata që pinë duhan ka shumë më shumë gjasa të zhvillojnë Covid të formës së rëndë.
Ju keni më shumë se dy herë gjasa të shtroheni në spital nga Covidi nëse pini duhan.
Studiuesit, kryen hulumtimet tek 7.102 pacientë pozitivë me Covid brenda sistemit shëndetësor të Klinikës Cleveland në Ohio dhe Florida dhe botuan gjetjet e tyre në një përmbledhje të 25 janarit në ‘JAMA Internal Medicine’.
Pacientët që kishin pirë mesatarisht një paketë cigare në ditë për 30 vjet ose më shumë, kishin një shans 2.25 herë më të lartë të shtrimit në spital sesa ata që nuk kishin pirë kurrë duhan, përfundoi studimi.
Ndërsa, ata që pinë duhan për më pak se 30 vjet, por më shumë se 10 vjet kishin shanse 1.41 herë më të larta për të përfunduar në spital me një infeksion koronavirus.
Përderisa, lënia e duhanit është e mirë për shëndetin tuaj, ju prapë mund të jeni në rrezik të rritur edhe nëse e keni ndaluar pirjen e duhanit.
Sipas studiuesve, “ekspozimi kumulativ ndaj tymit të cigares” është një faktor rreziku për shtrimin në spital dhe rrezik për jetën nga Covidi, jo vetëm ekspozimi aktual.
Bashkë-autorja e studimit Katherine E. Lowe, një studiuese në Klinikën e Mjekësisë Cleveland, tha në një deklaratë se si një zakon aktual i pirjes së duhanit ose pasojat e mundshme të të qenurit duhanpirës mund të rrisin rrezikun e Covidit të rëndë.
“Kjo mund të jetë për shkak të dëmtimit të mushkërive nga pirja e duhanit, por gjithashtu mund të jetë për shkak të sëmundjeve të tjera që lidhen me pirjen e duhanit,” shpjegoi ajo.
Sipas studiuesës Lowe, pirja e duhanit mund të shkaktojë gjendje të ndryshme shëndetësore si sëmundje të zemrës, astmë dhe sëmundje pulmonare obstruktive kronike.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), thonë se të tre këto gjendje shëndetësore janë faktorë të mundshëm të rrezikut për sëmundje të rënda nga koronavirusi.