Studimi: Vaksina ruse kundër COVID-it, e sigurt dhe efektive

Shëndetësia

Studimi: Vaksina ruse kundër COVID-it, e sigurt dhe efektive

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 06:27
Ilustrim

Shkencëtarët rusë thonë se vaksina Sputnik-V e vendit të tyre është e sigurt dhe efektive kundër COVID-19-s, bazuar në rezultatet e hershme të një studimi të përparuar të botuar në një revistë mjekësore britanike.

Studiuesit thonë se bazuar në provën e tyre, e cila përfshiu rreth 20,000 njerëz në Rusi vjeshtën e kaluar, vaksina është rreth 91 për qind efektive në parandalimin e COVID-19-s. Studimi u botua në internet në 2 shkurt në revistën “The Lancet”.

Disa shkencëtarë të cilët nuk kanë lidhje me hulumtimin pranuan se shpejtësia me të cilën u prodhua dhe u përhap vaksina e Rusisë u kritikua për "nxitim të dukshëm, se i kishte rënë shkurt procedurave dhe për mungesë transparence".

"Por rezultati i raportuar këtu është i qartë", shkruajnë shkencëtarët britanikë Ian Jones dhe Polly Roy në një koment shoqërues. "Një tjetër vaksinë tashmë mund t’i bashkohet përpjekjeve për të luftuar e zvogëluar numrin e të infektuarve me COVID-19".

Vaksina Sputnik-V u miratua me shumë bujë nga qeveria ruse në 11 gusht. Në atë kohë, me këtë vaksinë ishin testuar vetëm disa dhjetra njerëz.

Disa rezultate të hershme u botuan në shtator, por pjesëmarrësit ishin ndjekur vetëm për rreth 42 ditë dhe nuk kishte asnjë grup krahasues.

Publikimi i të dhënave vjen ndërsa Evropa po përpiqet të sigurojë vaksina të mjaftueshme për 450 milionë banorët e saj për shkak të pakësimit të prodhimit nga AstraZeneca dhe Pfizer-i ndërsa shpërndarja në SHBA është penguar nga nevoja për të ruajtur vaksinat në temperatura ultra të ftohta si dhe planifikimi i pabarabartë në të gjithë shtetet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat