Ekspertët e Shëndetit Publik theksojnë se, marrja me tepricë e kripës sjell një sërë problematikash me shëndetin, duke filluar nga tensioni i lartë, problemet e zemrës, infarkti, gurët në veshka si dhe mbipeshën. Këshillohet që gjatë një dite, të përdoren vetëm 5 gramë kripë
Deri në 5 gramë kripë duhet të konsumoni përgjatë 24 orëve; nëse e teproni me përdorimin e saj, po rrezikoni shëndetin tuaj nga një sërë sëmundjesh – siç janë tensioni i lartë, problemet e zemrës, infarkti, gurët në veshka si dhe mbipesha.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se, përdorimi i kripës është thelbësor për shëndetin, pasi ndihmon në ekuilibrin e drejtë të lëngjeve në trup, ndihmon në transmetimin e impulseve nervore, si dhe ndikon në tkurrjen dhe relaksimin e muskujve. Por ndërsa e përdorim, duhet të kujtojmë edhe shprehjen popullore: “Gjella me kripë dhe kripa me karar”!
Kripa është lëndë e bardhë dhe e fortë në trajtë kokrrizash të vogla kristali, e tretshme në ujë. Ajo është lëndë ushqyese me emrin klorur natriumi ose NaCl dhe përmban përkatësisht 40% natrium dhe 60% klorur.
Shumica e kripës që konsumojmë, rreth 65-70%, vjen nga ushqimet e përpunuara dhe të shpejta, si dhe ushqimet e mensave dhe restoranteve. Rreth 15-20% e kripës vjen nga shtimi i saj gjatë gatimit ose në tryezë. Vetëm 15% e saj vjen natyrshëm nga ushqimet.
Nga e marrim kripën
Burimi kryesor i kripës në ushqyerjen tonë të përditshme, është buka dhe prodhimet e furrës, të cilat sjellin 40% të kripës në organizmin tonë. Në të vërtetë, produktet e drithërave si biskotat, byrekët, ëmbëlsirat, drithërat e mëngjesit, keku etj., që konsumohen në mënyrë të përditshme, janë burim i rëndësishëm i kripës, sepse ato përmbajnë më shumë kripë nga sa mendojmë.
P.sh., 50 g bukë ose një fetë, përmban 0,4 g kripë; 30 g ose 4 lugë gjelle drithëra të mëngjesit përmbajnë 0,8 g kripë; 20 g biskota ose 2-4 biskota të ëmbla përmbajnë 0,1 g kripë; 1 copë kek 35 g përmban 0,3 g kripë etj. Mishi dhe nënproduktet e tij, si sallami, konservat e peshkut etj., sjellin 21% të kripës në organizmin tonë, por ato konsumohen më pak se buka dhe produktet e saj. P.sh., proshuta krudo 50 g (3-4 feta mesatare) përmban 3,2 g kripë etj.
Kurse, qumështi dhe nënproduktet e tij, si djathi dhe gjiza, kanë sasi të ndryshme kripe. Disa lloje salcash ose erëzash që përdoren për zëvendësim ose shtim të kripës, janë të pasura me natrium.
Sa kripë na nevojitet
Trupi ka nevojë për rreth 4 g kripë në ditë dhe niveli i pranueshëm maksimal është 6 g ose 1 lugë çaji kripë në ditë. Fëmijët duhet të marrin sasi shumë më të vogël, në varësi të moshës së tyre.
Fëmijëve deri 12-muajsh nuk është e nevojshme t’u shtojmë kripë në ushqime. Një këshillë me vlerë është se, shumica e kripës në ushqyerjen tonë vjen nga ushqimet e përpunuara dhe të shpejta, si dhe ushqimet e mensave dhe restoranteve. Sa i takon nevojave mesatare për kripë, një fëmijë një vjeç duhet të konsumojë 1 gram në ditë, fëmijët nga 1-3 vjeç 2 gramë në ditë, një fëmijë 4-6 vjeç deri në 3 gramë në ditë dhe fëmijët 7-10 vjeç, 4 gramë në ditë dhe fëmijët mbi 11 vjeç deri në 5 gramë në ditë.
Ajo që ekspertët këshillojnë, është kontrollimi i sasisë së kripës për të gjitha produktet që blihen të paketuara. Shpesh në etiketa, shkruhet sasia e natriumit në gram në vend të kripës, për 100 gramë ushqim. Vlen të theksohet se, 1 g kripë ka 0,4 g natrium. Nëse në 100 g ushqim ka 1 g natrium, do të thotë se ka 2,5 g kripë.
Ushqimet me përmbajtje të lartë në kripë përmbajnë 1.5 g ose më shumë për 100 g ushqim; ushqimet me përmbajtje të ulët në kripë përmbajnë 0,3 g ose më pak për 100 g ushqim.
Sëmundjet që shkaktohen nga kripa
Veshkat në mënyrë të natyrshme, balancojnë sasinë e natriumit të depozituar në trup për një shëndet optimal. Kur natriumi në trup është i ulët, veshkat e mbajnë atë, ndërsa kur natriumi në trup është i lartë, veshkat e nxjerrin me urinë sasinë e tepërt. Por në qoftë se për ndonjë arsye, veshkat tona nuk mund të eliminojnë natriumin, ai fillon të grumbullohet në gjakun tonë.
Natriumi tërheq dhe mban ujë, duke rritur kështu volumin e gjakut dhe puna e zemrës vështirësohet për të lëvizur më shumë gjak, gjë që rrit presionin në arterie.
Marrja me tepricë e kripës, favorizon rritjen e presionit arterial; rrezikun kardiovaskular, nëse reduktohet marrja e kripës me 3 g në ditë; sëmundjet e koronareve ulen në mënyrë të dukshme; rritjen e rrezikut me 50% për vdekje nga infarkti i miokardit, nëse merret mbi 6 g kripë në ditë; obezitetin; kancerin e stomakut; gurët në veshka; osteoporozën; kockat bëhen më të thyeshme sidomos në moshat e vjetra dhe gratë në menopauzë. Po kështu, përdorimi në sasi të mëdha i kripës, sjell rëndimin e disa sëmundjeve kronike si diabeti, astma, insuficienca kardiake etj.
Këshilla
Këshilla kryesore nga ekspertët e ISHP-së është kufizimi i përdorimit të kripës në mënyrë graduale. E rëndësishme është që, ushqimeve t’u jepet shije me erëza aromatike si hudhër, qepë, majdanoz, rozmarinë, rigon, sherbelë, nenexhik, piper, spec djegës etj., dhe jo më kripë. Po kështu, shijen e ushqimeve mund ta rregulloni edhe me uthull ose lëng limoni.
Në rast se jeni duke konsumuar një ushqim të paketuar, është e rëndësishme të lexohet paketa për sasinë e kripës që përmban, në mënyrë që ajo të mos dyfishohet. Sa i takon këshillave të tjera të ekspertëve, ato kanë të bëjnë me zgjedhjen e ushqimeve të freskëta dhe jo ushqime të përpunuara; mundohuni të gatuani në shtëpi. Nëse përdorni ushqime të gatshme, shikoni për ushqime me sasi kripe të reduktuar.
E rëndësishme është që, për fëmijët të mos përdorin kripë në ushqim.
Disa këshilla që duhen mbajtur parasysh:
-Kufizoni gradualisht përdorimin e kripës, si në gatim edhe në tryezë.
-Kufizoni përdorimin e elementeve që përmbajnë kripë, si salcat, kubetit, pluhurate lëngjeve etj.
-Jepuni shije ushqimeve me erëza aromatike si hudhër, qepë, majdanoz, rozmarinë, rigon, sherbelë, nenexhik, piper, spec djegës etj.
-Shtoni shijen e ushqimeve duke shtuar uthull apo lëng limoni.
-Lexoni etiketat e ushqimeve të paketuara për sasinë e natriumit ose kripës.
-Zgjidhni rregullisht ushqime të freskëta dhe jo ushqime të përpunuara.
-Mundohuni të gatuani në shtëpi. Nëse përdorni ushqime të gatshme, shikoni për ushqime me sasi kripe të reduktuar.
-Mos shtoni kripë në ushqimin e foshnjave ose fëmijëve.
-Përdorni kripë të jodizuar, mbajeni në enë të mbyllur mirë dhe në vende pa lagështirë.
Duke reduktuar sasinë e kripës, në të gjithë botën mund të shmangen:
-më shumë se 1 milion vdekje nga infarkti dhe rreth 3 milionë e vdekjeve nga sëmundje të tjera kardiovaskulare
-23% e rrezikut për të patur një goditje në tru
-17% e rrezikut për të patur një sëmundje të zemrës
Marrja me tepricë e kripës favorizon:
Rritjen e presionit arterial
Rrezikun kardiovaskular, i cili shmanget nëse reduktohet marrja e kripës me 3 g në ditë
Sëmundjet e koronareve
Rritjen e rrezikut me 50% për vdekje nga infarkti i miokardit, nëse merret mbi 6 g kripë në ditë
Obezitetin
Kancerin e stomakut
Gurët në veshka
Osteoporozën; kockat bëhen më të thyeshme sidomos në moshat e vjetra dhe gratë në menopauzë
Rëndimin e disa sëmundjeve kronike si diabeti, astma, insuficienca kardiake etj., kur merret kripë me shumicë.