Në luftën kundër Covid-19, oksimetri i pulsit ka qenë një mjet thelbësor për mjekët dhe sidomos për njerëzit me covid që janë kuruar në shtëpi. Por pajisja e vogël që monitoron nivelet e oksigjenit mund të mos funksionojë mirë për njerëzit me lëkurë të errët, sipas studimeve të shumta dhe agjencive qeveritare të shëndetit.
Oksimetrat e pulsit, të cilat janë rritur në përdorim gjatë pandemisë, mund të japin rezultate të pasakta, paralajmëroi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave.
Më parë gjatë javës, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve gjithashtu azhurnuan udhëzimet klinike të koronavirusit për të paralajmëruar mjekët dhe infermierët se të dhënat nga disa studime sugjerojnë se pigmentimi i lëkurës mund të ndikojë në saktësinë e pajisjeve.
"Ndërsa oksimetrat e pulsit mund të jenë të dobishëm për vlerësimin e niveleve të oksigjenit në gjak, këto pajisje kanë kufizime që mund të rezultojnë në lexime të pasakta", tha Dr. William Maisel, drejtor i Zyrës së Vlerësimit dhe Cilësisë së Produktit në Qendrën e FDA-së.
Oksimetrat e pulsit janë pajisje të vogla të ngjashme që bashkohen pa dhimbje në gishtin e një pacienti dhe monitorojnë vazhdimisht sasinë e oksigjenit në gjakun e tyre. Covid-19 është një sëmundje e frymëmarrjes, që do të thotë se sulmon mushkëritë së pari, kështu që nivelet e ulëta të oksigjenit janë një shenjë që një pacient mund të përkeqësohet.
Sipas të dhënave të CDC, njerëzit me ngjyrë, latinët dhe amerikanët vendas janë 4 herë më shumë të prirur të trajtohen në spital krahasuar me të tjerët.
Ky përfundim u arrit pas një studimi të publikuar në England Journal of Medicine, ku profesorë të mjekësisë nga Universiteti i Michigan-it analizuan të dhënat e më shumë se 10,000 pacientëve. Pas matjeve të vazhdueshme rezultoi se në pacientët me lëkurë të bardhë marzhi i gabimit të oksimetrit ishte 3,6% ndërsa në ata me lëkurë të pigmentuar 11.7%.
Pikërisht për këtë arsye, ekspertët me përvojë nuk varen vetëm nga oksimetri për të bërë një diagnozë të saktë apo për të nisur trajtimin e pacientit.