Gjumi është një funksion me rëndësi jetike për trupin tonë dhe e ndihmon atë që të shërohet dhe të ripërtërihet. Pamundësia për të fjetur siç dhe sa duhet mund të shkaktojë sëmundje dhe çrregullime. Për më tepër, çrregullimet e gjumit dhe çrregullimet mendore janë bashkëshoqëruese të njëra tjetrës, e ndonjëherë çrregullimet e gjumit mund të shkaktojnë çrregullime mendore.
Çrregullimet mendore mund të çojnë në zhvillimin e çrregullimeve të gjumit me kalimin e kohës. Në botë, rreth 80% e njerëzve që vuajnë nga një çrregullim mendor zhvillojnë disa nga llojet e çrregullimeve të gjumit.
Për të kuptuar më mirë shëndetin tonë le të njihemi me disa nga llojet e çrregullimeve të gjumit dhe se kur duhet të kërkoni ndihmë profesionale.
Çfarë janë çrregullimet e gjumit dhe si mund t’i trajtoni ato?
Thënë thjeshtë, një çrregullim gjumi është një gjendje, që bën që të keni një strukturë të keqe gjumi ose ju pengon që të bëni gjumin cilësor. Çrregullimet e gjumit mund të përshkallëzohen nga të lehta në kronike.
Mund t`i trajtoni çrregullimet e lehta duke marrë një mjekim, që nuk ka nevojë për recetë mjekësore, ose një bar me përmbajtje bimore; për shembull, mjekët besojnë se vlerat antioksidante të shafranit mund të ndihmojnë edhe në përmirësimin e strukturës së gjumit. Por më e rëndësishmja është se për çrregullimet kronike të gjumit duhet të kërkoni këshillën e mjekut tuaj dhe të merrni mjekimin e terapitë e duhura. Mungesa afatgjatë e gjumit mund të jetë tepër e dëmshme dhe mund të shkaktojë zhvillimin e sëmundjeve të rënda mjekësore.
10 llojet e çrregullimeve të gjumit
1. Sindromi i këmbëve të lodhura
Sëmundja Willis-Ekbom ose sindromi i këmbëve të lodhura është një çrregullim i sistemit nervor. Ajo bën që pacienti të ndjejë një nevojë të madhe për të lëvizur këmbët kur është në qetësi, ulur ose shtrirë. Kjo mund të shkaktojë probleme me rënien në gjumë dhe rrjedhimisht shkakton probleme me funksionimin në jetën e përditshme.
2. Apneja qendrore e gjumit
Apneja e gjumit është një çrregullim, në të cilin ju ndaloni së marri frymë ndërkohë që flini. Ka dy lloje të apnesë së gjumit. Ndërkohë që ka edhe një lloj të tretë, i quajtur apneja e përzier e gjumit, në të cilën ndërthuren të dy llojet e mëposhtme të apnesë së gjumit, por është shumë e rrallë.
Apneja qendrore e gjumit ndodh kur ju ndaloni së marri frymë në gjumë për shkak të mungesës së koordinimit të “muskujve të trurit”. Në këtë çrregullim të gjumit, truri juaj nuk u dërgon sinjale muskujve në mënyrë që ata të thithin ajrin. Shkaktarët e apnesë qëndrore të gjumit mund të jenë sëmundje të rënda mjekësore, që mund të prekin edhe trungun e trurit.
3. Apneja obstruktive e gjumit
Ndryshe nga apneja qendrore e gjumit, apneja obstuktrive e gjumit ndodh kur diçka fizike bllokon rrugët e ajrit. Kjo rrit presionin në muskujt e kraharorit dhe në diafragmë ndërkohë që ata sforcohen shumë që të thithin ajrin. Në apnenë obstruktive të gjumit, pacienti mund të ndalojë së marri frymë për disa çaste dhe të zgjohet nga gjumi për të marrë frymë përsëri. Por në shumicën e rasteve pacienti nuk e mban mend që është zgjuar natën.
4. Narkolepsia
Narkolepsia është një çrregullim neurologjik që shkakton strukturë të pashëndetshme dhe të pakontrolluar të gjumit, të cilat mund të dëmtojnë jetën e përditshme. Narkolepsia bën që një pacient mund të bjerë papritur në fazën REM të gjumit në çdo kohë të ditës, pavarësisht veprimtarisë që është duke kryer. Për ta ilustruar, një njeri mund të bjerë në gjumë ndërkohë që është duke i dhënë makinës ose duke punuar me një makineri të rrezikshme. Për këtë arsye, narkolepsia mund të jetë një çrregullim tepër i rrezikshëm nëse nuk trajtohet.
5. Pagjumësia
Njerëzit që vuajnë nga pagjumësia mund të kenë vështirësi për të rënë në gjumë ose për të qëndruar në gjumë. Pagjumësia mund të jetë akute ose kronike dhe mund të largohet e të rishfaqet me kohën. Për më tepër, ka 2 lloje të pagjumësisë; e para, shkaktohet nga probleme shëndetësore (depresioni, astma, kanceri etj). E dyta, që nuk ka si shkak një sëmundje mjekësore të diagnostikueshme.
6. Parasomnitë
Parasomnitë janë çrregullime që shkaktojnë mungesën e gjumit. Ato ndodhin në çdo kohë ndërkohë që je në gjumë; pak çaste para se të biesh në gjumë, gjatë gjumit, pak çaste para zgjimit dhe ndërkohë që jeni duke u zgjuar.
Ka disa lloje të parasomnive:
- Makthet e natës
- Ëndrrat e këqija
- Ecja në gjumë
- Të folurit në gjumë
- Zgjimet konfuze
- Çrregullimi i lëvizjeve ritmike
- Paralizat e gjumit
- Ereksionet e dhimbshme gjatë gjumit
- Lagia e shtratit (urinimi natën në krevat), Etj.
7. Hipersomnia (Gjumi i tepërt)
Ndryshe nga pagjumësia, gjumi i tepërt bën që pacienti të flejë më tepër seç duhet. Në këtë gjendje, personi mund të flejë kudo, në çdo çast të ditës. Gjendje si letargjia, mjegullimi i mendjes dhe vështirësitë me kujtesën janë probleme që ndjekin gjumin e tepërt. Gjumi i tepërt është një problem gjithmonë e në rritje kudo në botë për shkak të orareve të tej zgjatura dhe të ngarkuara të punës dhe të shkollës.
8. Çrregullimi i gjumit REM
Lëvizja e shpejtë e syve (REM) është një gjendje e gjumit të thellë, e cila përbën rreth 20-25% të gjithë gjumit. Faza REM është përgjegjëse për ëndrrat tona. Gjatë fazës REM sytë tanë lëvizin shumë më shpejt, rrahjet e zemrës shtohen dhe muskujt tanë e humbasin aftësinë lëvizëse (paraliza). Humbja e tonusit muskular ndodh në mënyrë që ne të mos dëmtojmë veten ndërkohë që ëndërrojmë. Në këtë çrregullim të gjumit, humbja e kontrollit të muskujve (paraliza) nuk është e pranishme dhe prandaj pacienti mund të veprojë gjatë ëndrrave duke folur, goditur ose bërtitur, etj.
9. Çrregullimi i ritmit cirkadian
Ritmi cirkadian është ora natyrale e trupit tonë, që mban funksionet tona biologjike në rregull. Ky është një cikël 24 orësh. Ky cikël ka rëndësi jetike për trupin tuaj në mënyrë që ai të funksionojë mire si dhe struktura e valëve të trurit, ripërtëritja dhe rritja e qelizave, prodhimi i hormoneve dhe veprimtari të tjera si këto varen nga ritmi cirkadian. Prania e dritës së diellit dhe mungesa e saj në darkë rregullon ritmin cirkadian të trupit tonë.
Më poshtë do të gjeni llojet e çrregullimeve të ritmit cirkadian:
a. Jet Lag (Ndryshimi i orës gjatë udhëtimeve në vende me zona të ndryshme kohore)
Kjo ndodh kur ju udhëtoni dhe ndryshoni zonën kohore. Kjo mund të shkaktojë që njerëzit të jenë shumë të përgjumur ose të kenë mungesë të vëmendjes gjatë ditës.
b. Çrregullimi i turneve të punës
Ashtu sikurse duket nga emri, ky çrregullim është i pranishëm te njerëzit që punojnë në turne të çuditshme. Ndryshimet e shpeshta të turneve mund të shkaktojnë dëmtim të ritmit cirkadian. Njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim mund të flenë të paktën 4 orë gjumë më pak se mesatarja e njerëzve të tjerë.
c. Sindromi i vonesës së fazës së gjumit (DSPD)
Ky është çrregullimi më i shpeshtë prej çrregullimeve të gjumit te adoleshentët dhe njerëzit në të 20-at. DSPS është një çrregullim që lidhet me kohën kur biem në gjumë. Rënia për të fjetur shumë vonë dhe më pas vështirësia për t’u zgjuar në kohë në mëngjes për të bërë gjithë veprimtaritë e jetës së përditshme, janë karakteristikat kryesore të këtij sindromi.
d. Sindromi i hershëm i fazës së gjumit (ASPS)
Ky është i kundërt me çrregullimin DSPD. Kjo nënkupton se njerëzit me ASPS mund të bien herët për të fjetur dhe të zgjohen përsëri shumë herët. Kjo mund të shkaktojë lodhje dhe përgjumje në darkë.
e. Çrregullimi i mungesës së ciklit gjumë-zgjim gjatë 24 orëve
Ky çrregullim prek më tepër njerëzit e verbër, por megjithatë edhe njerëzit e tjerë mund të preken nga ai. Gjatë këtij çrregullimi, ora në të cilën pacienti bie për të fjetur ndryshon nga dita në ditë dhe ndodh gjithmonë e më vonë çdo natë.
f. Çrregullim i ritmit gjumë-zgjim
Në këtë çrregullim pacienti priret që të flejë pa ndonjë orar të përcaktuar. Që do të thotë, ai mund të flejë gjithë ditën për 24 orë rresht ose të flejë me pjesë gjatë gjithë ditës, pa bërë gjumë siç duhet natën.
10. Çrregullimi i lëvizjes periodike të gjymtyrëve
Ky çrregullim është i ngjashëm me sindromin e këmbëve të lodhura, por nuk duhet ngatërruar me të. Çrregullimi shkakton lëvizjen ritmike të gjymtyrëve gjatë gjumit. Këto lëvizje shkaktojnë shqetësim dhe mund të ndodhin ndonjëherë ose përgjatë gjithë natës.