Lëkura dhe dielli, gjithçka bëhet e shëndetshme kur ndiqni disa masa paraprake të thjeshta

Shëndetësia

Lëkura dhe dielli, gjithçka bëhet e shëndetshme kur ndiqni disa masa paraprake të thjeshta

Më: 27 qershor 2021 Në ora: 09:19
Ilustrim

Dëshirë për diellin, detin dhe nxirjen. Gjithçka bëhet e shëndetshme kur ndiqni disa masa paraprake të thjeshta.

Dielli po. Drita e diellit bën mirë sepse stimulon çlirimin e hormonit të gjendjes pozitive, serotoninës. Jo vetëm kaq. Ajo ka efekte pozitive në sistemin imunitar dhe ndikon në forcimin e kockave, sepse nxit trupin të prodhojë vitaminën d, e cila ka një rol themelor në fiksimin e kalciumit në kocka.

Dielli jo. Rrezet e diellit janë përgjegjëse për plakjen e lëkurës. Ato mund të shkaktojnë njolla në lëkurë dhe të dëmtojnë flokët. Për më tepër, dermatologët paralajmërojnë rrezikun ndaj ekspozimit të tepruar, i cili është përgjegjës për shfaqjen e tumoreve të lëkurës. Si të merrni një ngjyrë të shëndetshme pa e rrezikuar lëkurën dhe pushimet për shkak të djegies së dhimbshme nga dielli?

Kryesore është të përgatisni paraprakisht, duke i kushtuar kujdes të veçantë fytyrës dhe trupit dhe duke u përqendruar në një dietë që mund të hidratojë lëkurën dhe pse jo, të stimulojë prodhimin e melaninës, për një nxirje natyrale.

Fytyra dhe trupi

Për të eliminuar grinë e dimrit nga lëkura, është e nevojshme një pastrim i fytyrës dhe trupit para dushit. Produkte të cilat mund t’i gjeni në treg, duhen përdorur para ose gjatë dushit duke i masazhuar lehtë, por mund të shkoni për trajtime të ngjashme edhe tek estetistja. Receta në kushte shtëpie është shumë e thjeshtë. Thjesht, shtoni disa lugë sheqeri në shampon e dushit dhe krijoni një lloj paste me të cilin të bëni pastrimin e lëkurës. Qëllimi është të eksfoliohet, domethënë, të hiqen qelizat e vdekura për të rigjeneruar epidermën, e cila gjithmonë duhet të trajtohet me një hidratues.

Parandalimi nis në pjatë

Frutat dhe perimet janë gjithmonë baza e një diete të shëndetshme, por gjatë verës ato duhet të bëhen pjatat kryesore në tryezë. Perimet dhe frutat me ngjyrë të kuqe dhe portokalli, duhet të preferohen në menu: ato ndihmojnë në prodhimin e melaninës dhe gjithashtu kanë një veprim të rëndësishëm antioksidues, d.m.th. i mbajnë qelizat të pastra.

Kështu që vazhdoni të konsumoni karota, speca, domate, pjepër, kajsi, pjeshkë dhe qershi. Domatja gjithashtu përmban likopen, një substancë që konsiderohet të jetë nga më të efektshmet për të kundërvepruar veprimin e radikaleve të lirë dhe dëmtimin qelizor që shkaktojnë.

Preferohet të konsumoni perime të papërpunuara, pasi gatimi i shpërndan vitaminat dhe mineralet e tyre. Fruti, nga ana tjetër, mund të përzihet dhe t’i shtohet kos i bardhë, i cili gjithashtu mund të përdoret për të shoqërohet me sallatë jeshile dhe kastravec, të cilat janë shumë hidratuese. Dhe më kryesore, duhet të pini të paktën dy litra ujë në ditë për të ruajtur ekuilibrin e tij në trup. Uji duhet t’u ofrohet fëmijëve disa herë gjatë ditës, pa pritur që ata të jenë të etur. Në fakt, etja tashmë është shenjë e dehidrimit.

Ja se si të mbroheni

Rregulli i parë për të shmangur dëmtimin e nxirjes është ekspozimi gradual dhe i mbrojtur. Edhe ata që janë akoma në qytet mund të aplikojnë krem dielli në fytyrë dhe krahë përpara se të dalin nga shtëpia: sepse ndodh që të digjen edhe gjatë rrugës për në shtëpi, zyrë apo gjatë blerjeve. Sugjerimi është edhe më i vlefshëm për fëmijët: dilni në kopshte me kremin mbrojtës në çantë. Këshillohet që të mbroheni edhe me kapelë dhe syze dielli. Në plazh, fëmijët gjithashtu mund të veshin një bluzë të lehtë. Kremi mbrojtës duhet të blihet sipas llojit të lëkurës dhe të aplikohet të paktën gjysmë ore para ekspozimit në diell.

Aplikimi duhet të përsëritet çdo dy orë dhe madje edhe më shpesh në rast të larjes në det, djersitjes apo mesditës. Kujdes nga reklamat gënjyese: nuk ka produkte me mbrojtje totale (sunblock). Orët më të mira dhe më të sigurta për një nxirje të shëndetshme janë herët në mëngjes dhe pasdite vonë. Absolutisht nuk rekomandohet të bëni banjo dielli në orët e pikut të ditës. Në çdo rast, ekspozimi i zgjatur, edhe nëse mbrohesh, gjithmonë duhet të shmanget.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat