Që nga viti 2007, niveli i lindjeve në SHBA kishte rënë mesatarisht rreth 2% çdo vit. Kriza e koronavirusit përshpejtoi rënien edhe më tej, duke sjellë një rënie me 4% vitin e kaluar. Ishte rënia më e madhe vjetore e numrit të lindjeve që nga viti 1973.
Demografët tregojnë për një numër faktorësh që nxisin këtë fenomen: pasiguria ekonomike, pasiguria politike, zhvendosja e normave gjinore dhe një ulje e stigmës rreth zgjedhjes për të mos pasur fëmijë.
Sipas studimit të fundit nga CNN, këtu janë disa arsye pse disa gra po zgjedhin të mos kenë fëmijë.
Ato nuk duan përgjegjësi
Cecilia Sanders, një menaxhere 32-vjeçare në Çikago, ishte e sigurt se nuk donte fëmijë. E shikonte si një përgjegjësi shumë e madhe, dhe ideja e shtatzënisë e frikësonte atë.
Megjithatë, ajo thotë se ndihej nën presion për t'u ndjerë ndryshe, sikur të zhgënjente të tjerët duke mos pasur fëmijë. Për rreth një vit, ajo u përpoq të detyrojë veten të ndryshonte mendje, duke folur me miqtë që ishin prindër për përvojat e tyre dhe mënyrën se si ata i kushtonin kohë vetes.
Por, miqtë e saj shpesh nuk kishin kohë për veten e tyre. Fëmijët e tyre, shpreheshin ata, ishin primarë.
Sanders e kuptoi se sakrifikimi i nevojave të saj për të përmbushur detyrën e saj si prind do të ishte veçanërisht e rëndë për të.
Kanë frikë nga mungesa e mbështetjes
Amy Blackstone, një sociologe në Universitetin e Maine thotë se mungesa e politikave miqësore ndaj familjes në SHBA është një shpjegim pas rënies së nivelit të lindjeve vitet e fundit - diçka që pandemia e bëri edhe më të qartë.
Gjatë vitit të fundit, prindërve u është dashur të vazhdojnë të punojnë, shpesh pa përkujdesje ndaj fëmijëve ose ndërkohë që duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të mësojnë online. Situata i ka lënë njerëzit të stresuar dhe të varfër dhe ndoshta ka më shumë gjasa të vonojnë ose të rishqyrtojnë të pasurit më shumë fëmijë.
Kujdesi për fëmijët mund të jetë i shtrenjtë ose i vështirë për t’u gjetur. Dhe gratë kanë më shumë gjasa të mbajnë barrën më të madhe të përgjegjësive të prindërimit dhe detyrave shtëpiake.
Atyre u pëlqen jeta e tyre ashtu siç është
Ndërsa Jordan Levey u përqëndrua në studimet për juridik dhe në karrierën e saj, ajo supozoi se një "instinkt amësor" do të niste së shpejti.
Tani që ajo është 35 vjeç dhe është martuar për katër vjet, Levey thotë se ajo dhe burri i saj e kanë kuptuar se e preferojnë stilin e tyre të jetës ashtu siç është. Ata posedojnë një apartament dhe janë ‘prindër’ për qenin e tyre. Dhe megjithëse ata kanë një jetë të rehatshme, preferojnë të shpenzojnë paratë e tyre për gjërat që duan.
Ende gjykohen për zgjedhjen e tyre
Gratë që zgjedhin të mbeten pa fëmijë thonë se ende ndihen sikur vazhdimisht duhet t'u shpjegojnë zgjedhjet e tyre të tjerëve.
Ato janë quajtur egoiste, të akuzuara për urrejtjen ndaj fëmijëve dhe u është thënë se do të pendohen për vendimin e tyre më vonë në jetë kur të gjenden vetëm.
Blackstone, e cila ka intervistuar shumë njerëz në lidhje me vendimin e tyre për të mbetur pa fëmijë, thotë se njerëzit me të cilët ajo ka folur pranojnë se është e mundur që ata një ditë të pendohen për zgjedhjen që kanë.
Por ajo tha se ata nuk do të preferonin të mos kishin fëmijë dhe të pendoheshin më vonë sesa të kishin fëmijë dhe të pendoheshin më vonë...