Të ushqyerit shëndetshëm është një zgjedhje që bëjmë sa herë që hamë, prandaj organizimi dhe kreativiteti ndihmojnë të bëni zgjedhjet më të mira ushqimore çdo ditë.
Për këtë arsye, përpiquni ta bëni sa më të lehtë procesin e vendimmarrjes kur zgjidhni një vakt. Në këtë mënyrë, ju mund të vazhdoni të zgjidhni atë që është më e mira për ju. Më poshtë janë tri gjëra që mund të bëni në baza ditore ose javore që e bëjnë më të lehtë për ju të ushqeheni shëndetshëm.
Përgatitja paraprake e vakteve
Edhe pse kjo mund të tingëllojë klishe, përgatitja e ushqimit paraprakisht për javën me të vërtetë ndihmon. Gatimi mund të marrë shumë kohë, por të kesh ushqim që duhet vetëm të ngrohet dhe të shërbehet, ju lejon të keni një vakt ushqyes të gatshëm në pak minuta.
Një këshillë për përgatitjen e vakteve në këtë rast është të gatuani proteina - zakonisht mish pule ose një mish tjetër pa yndyrë - që mund t'i ndani dhe t'i ngrini për më shumë se një javë dhe thjesht t'i shkrini sipas nevojës.
Sigurohuni gjithashtu të keni perime për javën. Në këtë mënyrë, nuk e mendoni dy herë përpara se të hani një sallatë ose të gatuani perime me çdo vakt. Po ashtu përpiquni t'i përgatisni në mënyra të ndryshme për të mos u mërzitur me të njëjtat ushqime. Për shembull, kur bëhet fjalë për karotat ose kungujt e njomë, prijini në feta, në copa, grijini në rende ose bëjini spirale, të gjitha këto ju ndihmojnë t'i inkorporoni lehtësisht në vaktet tuaja.
Mbajini frutat pranë
Mbajtja e frutave në vende të dukshme ju kujton të hani fruta gjatë ditës. Hulumtimet tregojnë se ju keni më shumë gjasa të hani më shumë nga çfarëdo ushqimi që vendosni pranë jush, pavarësisht nëse janë fruta apo ëmbëlsira. Mbajini frutat në tryezë dhe ushqimet e ëmbëlsirat ruajini larg, mundësisht në vende të padukshme.
Ndiqni një rutinë
Mund të mos planifikoni zyrtarisht një menu javore, por kini parasysh disa pjata që mund t’i përmbaheni në çdo vakt.
Për shembull, zgjedhjet e mëngjesit mund të përfshijnë:
- një omëletë me perime dhe vezë
- tost me gjalpë kikiriku dhe në anë vezë
- bollgur me fruta
- petulla me tërshërë
E njëjta gjë vlen edhe për pjesën tjetër të vakteve dhe ushqimeve tuaja, ku duhet të keni të paktën tre opsione të ndryshme për të zgjedhur pa u menduar shumë. Pasja e një grupi të paracaktuar pjatash që e dini që ju pëlqejnë, ju kursen kohë për të vendosur se çfarë të hani dhe ju lejon të ndryshoni vaktet tuaja në varësi të faktit nëse dëshironi diçka të ëmbël apo të kripur. Ju ndihmon gjithashtu për blerjet ushqimore, pasi e dini se çfarë do të keni me shumë gjasa në çdo vakt.