Me rastin e muajit ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit "Jeta/Vita", për herë të 16-të, organizon aktivitete në gjithë vendin, ndërsa në Prishtinë, nën përkujdesjen e presidentes Vjosa Osmani organizohet manifestimi i tradicional informativo-kulturor me moto "Zbulimi i hershëm - mbijetesë", më 28 tetor në ora 12:00 para Teatrit Kombëtar.
Gjatë këtij muaji, në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës do të organizohen punëtori interaktive nëpër disa Universitete të Kosovës, me ç' rast para studenteve do të ligjërojnë mjekët-ekspertë.
Gjithashtu JETA-VITA gjatë muajit tetor do të shpërndajë falas për 100 paciente paruke, gjoksore dhe proteza.
Ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm janë faktorë kyç që ndihmojnë në fitimin e betejës kundër kancerit. Të dhënat shkencore flasin se një nga veçoritë e betejës kundër kancerit lidhet me kujdesin që i kushtojmë shëndetit në çdo fazë të jetës, vetkontrolleve të shpeshta dhe vizitave të rregullta mjekësore.
Fushatat senzibilizuese kanë ndikuar rritjen e ndjeshme të numrit të rasteve të grave, të cilat falë informacioneve, vetëkontrolleve e kontrolleve të rregullta mjekësore e zbulojnë sëmundjen në faza fillestare.
Në Kosovë çdo vit zbulohen rreth 400 raste të reja me kancer të gjirit.