Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një ilaç të ri që duket se ngadalëson sëmundjen e Alzheimer-it.
FDA njoftoi se ilaçi, i quajtur Leqembi, do t’u përshkruhet pacientëve me faza të lehta ose të hershme të sëmundjes.
Ilaçi, i miratuar nga FDA për përdorim, është i pari i këtij lloji që ka shfaqur shenja të ngadalësimit të përkeqësimit të kujtesës dhe të të menduarit.
Por ekspertët mendojnë se vonimi i përkeqësimit kognitiv zgjat vetëm disa muaj.
“Ky ilaç nuk është një kurë. Ai nuk parandalon përkeqësimin e gjendjes së pacientit, por thjesht ngadalëson në mënyrë të matshme përparimin e sëmundjes”, tha për NBC neurologu Joy Snider nga Universiteti i Washington-it.
Nga ana tjetër, ekspertët tërheqin vëmendjen për efektet anësore që ilaçi mund të shkaktojë, si edema cerebrale ose paraqitja e nevojës për trajtim me infuzion dy herë në muaj.
Siç njoftohet, trajtimi njëvjeçar i Alzheimer-it me Leqembi, i prodhuar nga firma japoneze Eisai dhe partneri amerikan Biogen, do të kushtojë afërsisht 26.500 dollarë.
Vlerësohet se në Shtetet e Bashkuara ka 6 milionë pacientë me Alzheimer.