Vizita vaginale e kryer me dorë nga mjeku gjinekolog, është vizita më intime që bëhet gjatë shtatëzanisë. Jo të gjitha gratë shtatëzëna e lejojnë me dëshirë këtë ekzaminim, sidomos në fillim të saj. Për këtë arsye një vizitë vaginale mund të kryhet vetëm pasi ju jeni informuar me hollësi nga mjeku për llojin e vizitës, pasi ju është marrë leje dhe ju është thënë një arsye bindëse për të bërë vizitën. Ju duhet ta dini që kur mjeku e kërkon këtë lloj vizite, ka një arsye të mjaftueshme dhe se ai i di mirë rastet kur kjo vizitë dëmton shtatëzaninë.
Në kontrollin e parë vizita vaginale bëhet për:
Përcaktimin e diagnozës: shtatëzani;
Vlerësimin e moshës së shtatëzanisë;
Zbulimin e keqformimeve të aparatit gjenital të gruas;
Vlerësimin e sekrecioneve vaginale;
Vizitën e saktë të qafës së mitrës, e cila mund të sjellë probleme me rritjen e shtatëzanisë;
Mundësisht për marrjen e Paptestit.
Në kontrollet e tjera para lindjes vizita vaginale kryhet për të:
Përcaktuar gjendjen e rrezikut të abortit;
Përcaktuar rrezikun e lindjes para kohe;
Konfirmuar pamjaftueshmërinë e qafës së mitrës për të mbajtur shtatëzaninë deri në fund;
Vlerësuar gjendjen e qafës së mitrës, para se të stimulohet artificialisht aktiviteti i lindjes në fund të shtatëzanisë;
Vlerësuar pjesën paraqitëse të bebit, para se të fillojë aktiviteti i lindjes;
Vlerësuar rrugët e lindjes.
Vizita vaginale nuk këshillohet vetëm në rastet kur keni pasur hemorragji para lindjes në shtatëzanitë e mëparshme dhe kur kanë plasur membranat dhe ka rrjedhje ujrash, para se të fillojë aktiviteti i lindjes.