Fëmijët mund të “shkrijnë” zemrat e prindërve të tyre në shumë mënyra. Por, një studim i fundit tregon se burrat me fëmijë kanë shëndet më të keq të zemrës se ata pa fëmijë. Studiuesit nga “Northwestern University and Ann & Robert H. Lurie Children’s Hospital of Chicago” analizuan të dhënat nga 2,814 burra midis moshës 45 dhe 85 vjeç dhe zbuluan se rezultatet shëndetësore ndryshonin ndjeshëm sipas përkatësisë etnike dhe sa vjeç ishte burri kur lindi fëmija i tij i parë.
Për shembull, burrat që u bënë baballarë nën moshën 25 vjeç dukej se kishin shëndet më të keq të zemrës sesa baballarët e tjerë.
Studimi, i botuar në “AJPM Focus” në fillim të këtij muaji, përdori të dhëna nga studimi etnik i aterosklerozës. Burrat u ndanë në grupe si baballarë ose jo baballarë dhe u vetëidentifikuan në bazë të racës. Studiuesit shikuan një numër treguesish shëndetësorë, duke përfshirë dietën, ushtrimet dhe zakonet e pirjes së duhanit, peshën, presionin e gjakut dhe nivelet e glukozës.
Autorët e studimit supozuan se streset që vijnë me prindërimin e bëjnë më të vështirë për burrat që të kenë një mënyrë jetese të shëndetshme nëpërmjet dietës ose stërvitjes, sepse të pasurit fëmijë u merr më shumë kohë.
“Ndryshimet në shëndetin e zemrës tregojnë se përgjegjësia e shtuar e kujdesit ndaj fëmijëve dhe stresi gjatë atësisë mund ta bëjnë të vështirë për burrat që të kenë një mënyrë jetese të shëndetshme, të tilla si një dietë apo stërvitje,” shprehet autori i studimit, John James Parker.
Baballarët e rinj kishin shëndetin më të keq
Burrat që kishin fëmijët e tyre të parë kur ishin më të rinj se 25 vjeç kishin rezultatet më të këqija shëndetësore, si dhe norma më të larta të vdekjeve, zbuloi studimi. Kësisoj, në një moshë kaq të re, shanset që të mos keni shtëpi dhe të keni pagë më të ulët, e bëjnë më të vështirë përmbushjen e detyrime financiare për familjen dhe si rrjedhojë, kjo përkthehet në më shumë stres dhe probleme me shëndetin, kryesisht me zemrën.