Gjumi është një temë e cila na prek të gjithëve, sepse le të themi të vërtetën, kush nuk dëshiron të qëndrojë në krevat sa më gjatë të jetë e mundur?
Nëse je një nga ata persona që mendon se mund të “funksionosh” perfekt me vetëm gjashtë orë gjumë, na vjen keq të themi që ndoshta nuk po “funksionon” aq mirë sa mendon. Shkenca është mjaft e qartë në këtë drejtim: Më pak se shtatë orë gjumë natën mund të ndikojnë seriozisht në shëndetin tonë. Po, kjo vlen edhe nëse mendon se e ke zgjidhur këtë punë duke pirë kafe.
Ndikimi i gjumit të paktë mund të jetë i frikshëm. Nga humbja e përqëndrimit, humori i keq, deri te rreziku i sëmundjeve kronike si diabeti dhe problemet me zemrën. Pra, nëse ke menduar që trupi yt është në gjendje të mirë me vetëm gjashtë orë, ndoshta është koha ta rimendosh strategjinë e gjumit tënd.
Le të bëjmë një llogaritje të thjeshtë: Nëse zgjohesh në orën 7 të mëngjesit dhe ke nevojë të flesh 8 orë, do të duhet të shkosh në shtrat në orën 11 të mbrëmjes. Por ja ku hyn edhe realiteti modern: Netflix, Instagram, TikTok e lista vazhdon. Gjithmonë gjendet diçka më e rëndësishme për të bërë sesa të flesh. Po, edhe kur ke provime ose punë të rëndësishme, mendja na thotë se mund të sakrifikojmë gjumin për produktivitetin. E vërteta është se trupi dhe mendja na ndëshkojnë për këtë.
Si mund ta përmirësosh këtë situatë?
Fillimisht, vendos një rutinë të rregullt gjumi. Kjo nuk do të thotë që duhet të flesh me që në 21:00, por një orar i rregullt mund të ndihmojë trupin tënd të kuptojë se kur është koha për të pushuar. Gjithashtu, largo pajisjet elektronike nga dhoma një orë para gjumit. Po, e dimë që kjo mund të duket si një mision i pamundur, por do të habitesh se sa mirë do të ndihesh pas një nate të mirë gjumi.
Përfundimi? Nëse do të jesh në formë, të kesh energji dhe të shmangësh krahasimet me një "zombi" gjatë ditës, përpiqu që të bësh të paktën 7 orë gjumë. Dhe mbaj mend, trupi yt është miku më i mirë. Duhet ta trajtosh mirë që ai të të trajtojë mirë në këmbim.