​Studimi i ri: Truri i gruas ndryshon në mënyrë drastike gjatë shtatzënisë

Shëndetësia

​Studimi i ri: Truri i gruas ndryshon në mënyrë drastike gjatë shtatzënisë

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 16:58
Foto ilustrim

Shtatzënia shkakton ndryshime të mëdha në trupin e femrës, dhe një studim i ri tregon se truri gjithashtu pëson ndryshime të mëdha, disa kalimtare dhe disa të gjata.

Shkencëtarët thanë se për herë të parë hartuan ndryshimet që ndodhin kur truri i një gruaje riorganizohet në përgjigje të shtatzënisë, bazuar në skanimet e bëra 26 herë, duke filluar tri javë para konceptimit, deri në nëntë muajt e shtatzënisë dhe më pas dy vjet pas lindjes.

Studimi dokumentoi një rënie të gjerë të vëllimit të lëndës gri kortikale, rajonit të rrudhosur të shtresës më të jashtme të trurit, si dhe një rritje në integritetin mikro-strukturor të lëndës së bardhë të vendosur më thellë në tru. Të dyja ndryshimet koinciduan me një rritje të niveleve të hormoneve estradiolit dhe progesteronit.

"Është mjaft tronditëse që në vitin 2024 ne nuk kemi pothuajse asnjë informacion për atë që ndodh në tru gjatë shtatzënisë. Kjo punë ngre më shumë pyetje sesa përgjigjet, dhe ne po gërvishtim vetëm sipërfaqen e këtyre pyetjeve," tha Elizabeth Chrastil, një neuroshkencëtare pranë Universitetit të Kalifornisë, gjithashtu objekt i këtij hulumtimi.

Chrastil tha se gjatë studimit ajo nuk ishte në dijeni të të dhënave që tregonin ndryshime në trurin e saj dhe se nuk ndihej ndryshe.

Shkencëtarët thanë se që kur studimi përfundoi, ata kanë vënë re të njëjtin model në disa gra të tjera shtatzëna që i janë nënshtruar skanimeve të trurit në një iniciativë kërkimore në vazhdim të quajtur projekti i trurit të nënës, i cili synon të rrisë numrin e subjekteve në qindra.

"Studimet e mëparshme kanë marrë skanime të trurit para dhe pas shtatzënisë. Por ne kurrë nuk kemi parë metamorfozë të trurit," shtoi Emily Jacobs, një neuroshkencëtare pranë Universitetit të Kalifornisë.

Skanimet treguan një reduktim mesatar prej rreth 4 për qind të lëndës gri në afërsisht 80 për qind të rajoneve të trurit të studiuara. Rikuperimi i vogël pas lindjes nuk e ktheu volumin në nivelet e para shtatzënisë. Studiuesit thanë se nuk është e qartë nëse humbja e lëndës gri është një gjë e keqe.

“Disa nga ndryshimet që vumë re mund të jenë gjithashtu një përgjigje ndaj kërkesave të larta fiziologjike të shtatzënisë, duke treguar se sa i adaptueshëm mund të jetë truri", tha Laura Pritschet, një studente post-doktoratë pranë Universitetit të Pensilvanisë dhe autore kryesore e studimit.

Në të ardhmen, studiuesit shpresojnë të shqyrtojnë se si variacionet në këto ndryshime mund të ndihmojnë në parashikimin e fenomeneve të tilla si depresioni pas lindjes dhe se si pre-eklampsia, një gjendje serioze e presionit të gjakut që mund të zhvillohet gjatë shtatzënisë, mund të ndikojë në tru.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat