Pse na bien ngërç këmbët?

Shëndetësia

Pse na bien ngërç këmbët?

Më: 28 shtator 2024 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

Tkurrjet muskulore në pulpën e këmbës shkaktojnë shumë dhimbje të forta, veçanërisht kur ato shfaqen gjatë natës.

Ato janë më të shpeshta pas moshës 40 deri në moshë 50-vjeçare. Deri më tani, shkencëtarët nuk kanë arritur të përcaktojnë një shkaktar të saktë të tkurrjeve muskulore, por teoritë janë të shumta.

Shkaqet e mundshme të ngërçit të këmbës:

Disa shkencëtarë janë të mendimit se stili modern i jetesës është një nga shkaktarët e mundshëm të tkurrjeve të muskujve të këmbës. Nëse më parë, njerëzit kalonin shumë kohë duke ecur, duke u ulur dhe ngritur në këmbë, tani shtendosjes së tendinëve të këmbës i kushtohet më pak kohë. Ekspertë të tjerë thonë se gjatë gjumit, këmba është në pozicion të njëjtë për disa orë dhe çdo lëvizje e vogël shkakton kontraktim.

Ngërçet e këmbës shfaqen më shumë në verë se në dimër, transmeton AgroWeb. Sipas të dhënave gjatë verës, rritja dhe riparimi i nervave është më intensiv.

Trupi prodhon vitaminë D nga ekspozimi i diellit, dhe trupi përshpejton riparimin e nervave. Sipas teorive të tjera, gjatë verës njerëzit ushtrohen dhe djersijnë më shumë duke u dehidratuar rregullisht. Dehidratimi është identifikuar si shkaktar i mundshëm i ngërçeve muskulore.

Këto të fundit shfaqen më shumë në rastet e shtatzënisë, depresionit, artritit dhe tensionit të lartë.

Si të parandaloni ngërçet e këmbës:

Ekspertët thonë se njerëzit që kryejnë shtendosje të rregullta të gjymtyrëve përpara gjumit pësojnë më pak kontraktime. Për më tepër, sipas informacioneve, konsumi i shumë ushqimeve me magnez është i këshillueshëm kundër ngërçeve.

Ushqime të pasura me magnez janë fasulet, arrorët, drithërat e plota dhe barishtet. Përpos ushqimeve, duhet të siguroheni që të pini shumë ujë gjatë ditës dhe të merrni edhe vitamina B.

E fundit, por jo për nga rëndësia, kur ngërçi kaplon këmbën, sigurohuni që ta shtendosni atë sa më shumë shtrirë ose në këmbë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat