“Carefree”, një markë e njohur e pecetave higjienike për gratë, të përdorura gjatë ciklit menstrual, përmban një kimikat të njohur për shkaktimin e kancerit dhe toksicitetit riprodhues, sipas një padie të re të ngritur të hënën. Një test i pavarur laboratorik zbuloi praninë e acidit perfluorooktanoik (PFOA) në pecetat intime “Carefree”, sipas ankesës së bërë në Gjykatën e Lartë të Los Angeles nga “Ecological Alliance LLC”.
Ekspozimi ndaj PFOA është i lidhur me probleme të shumta shëndetësore te njerëzit, përfshirë dëmtimin e mëlçisë, rritjen e kolesterolit, ndikimin në zhvillim, prishjen e sistemit imunitar dhe rritjen e rrezikut për disa lloje kanceri. Padia është ngritur kundër “Edgewell Personal Care Brands LLC”, pronare e markës “Carefree”. Një përfaqësues i Edgewell nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga “City News Service”.
Si një nga markat më të njohura në vend, pecetat “Carefree” paraqesin një shqetësim të madh shëndetësor për shkak të kontaktit të zgjatur me zonën vaginale, e cila është tepër e ndjeshme për të thithur kimikatet e dëmshme direkt në qarkullimin e gjakut, thuhet në padi.
Avokati Vineet Dubey, që përfaqëson “Ecological Alliance LLC”, tha se kompania me bazë në Connecticut duhet të heqë PFOA nga pecetat e saj ose të shtojë një etiketë paralajmëruese në paketim për konsumatorët.
"PFOA është një toksik riprodhues i njohur dhe asnjë sasi e tij nuk konsiderohet e sigurt,” tha Dubey.
“Kjo është një çështje e shëndetit publik. Ky kimikat grumbullohet me kalimin e kohës në trupin e njeriut, duke shkaktuar efekte negative riprodhuese si ulja e fertilitetit dhe ndërhyrja në hormone. Për më tepër, mund të rrisë hipertensionin te gratë shtatzëna. Gratë përdorin këtë produkt për 8 deri në 10 orë në ditë, që çon në ekspozim të vazhdueshëm ndaj PFOA-s, ndoshta çdo ditë.”
PFOA mund të qëndrojë në trup për deri në 50 vite dhe rrit mundësinë që fëmijët të kenë peshë të ulët në lindje dhe vonesa në zhvillimin e tyre, si dhe rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit në veshka ose prostatë, sipas padisë.
“Në nivel kombëtar, po rritet ndërgjegjësimi dhe shqyrtimi mbi produktet e kujdesit personal që përmbajnë PFOA dhe kimikate të tjera PFAS,” tha Dubey. “Carefree” prodhon produktet e saj në SHBA dhe konsumatorët mund të presin që një produkt i suksesshëm, i prodhuar në Amerikë, të përmbushë, në mos të tejkalojë standardet më të rrepta të shëndetit dhe sigurisë. Megjithatë, siç tregon kjo padi edhe produktet e prodhuara në vend mund të paraqesin rreziqe të mëdha për konsumatorët kur janë të pranishme kimikate të dëmshme si PFOA”.
Studimet e fundit kanë ngritur shqetësime mbi praninë e metaleve toksike dhe kimikateve “të përjetshme” në tamponë. Një hulumtim i publikuar në vitin 2024 tregoi se disa marka tamponësh, si në SHBA ashtu edhe në Europë, përmbanin metale të dëmshme si plumbi, arseniku dhe mërkuri. PFAS (substanca perfluoroalkile dhe polifluoroalkile) përdoren gjerësisht në produktet e konsumit për vetitë e tyre rezistente ndaj ujit.
Tamponët dhe produktet e tjera menstruale, të cilat vijnë në kontakt të zgjatur me inde të ndjeshme, mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme për shkak të këtij ekspozimi.