Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?

Shëndetësia

Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 19:47
Foto ilustrim

Ekspertët e shëndetit thonë se ecja është një mënyrë e lehtë për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor, për të forcuar gjendjen fizike dhe për të parandaluar sëmundjet. Doktoresha amerikane Sarah Eby thotë se njerëzit duhet të shtojnë edhe aktivitete të tjera në kuadër të ushtrimeve të tyre fizike, duke përfshirë ushtrime si ngritja e peshave, apo joga për një shëndet të mirë.

Ndërsa ecja nuk është ushtrimi i vetëm që njerëzit duhet të bëjnë, sipas mjekëve ajo është një hap i parë i madh drejt një jete më të shëndetshme.

Nuk keni nevojë për asnjë pajisje dhe nuk keni nevojë për të paguar për një anëtarësim në palestër. Ecni dhe përfitimet janë të mëdha”, thotë Sarah Eby, eksperte e mjekësisë sportive nga organizata jo qeveritare ‘General Mass Brigham’.

Ecja mund të ndihmojë në përmbushjen e rekomandimit të dhënë nga autoritetet e shëndetit publik, që të rriturit të bëjnë të paktën 2 orë e gjysmë aktivitet fizik, me intensitet të moderuar, çdo javë.

Kjo ndihmon në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, tesionit të lartë të gjakut, demencës, depresionit dhe shumë llojeve të kancerit.

Ecja gjithashtu është një ushtrim i lehtë për trupin, ndërsa forcon zemrën dhe mushkëritë.

Nga pikëpamja e përfitimeve shëndetësore, 150 minuta aktivitet aerobik çdo javë mund të sjellin një sërë përfitimesh shëndetësore, duke përfshirë uljen e rrezikut të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, rrezik më të ulët të sëmundjes së arterieve koronare, goditjes në tru, hipertensionit, diabetit, si dhe shumë lloje të kancereve. Ecja ndihmon për uljen e ankthit, depresionit dhe përmirëson gjumin. Mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes nga Alchajmeri dhe demencat e tjera”, thotë doktoresha Eby.

Megjithatë, ajo shton se ecja nuk është tërësisht e mjaftueshme pasi nuk forcon muskujt.

“Përveç ecjes, ne rekomandojmë dy ditë ushtrime për forcimin e muskujve. Kjo mund të jetë ngritje e peshave apo diçka e ngjashme”, thotë doktoresha Eby.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shëndetin e kockave të grave në moshë.

Ekspertët rekomandojnë shtimin e aktiviteteve të tilla të paktën dy herë në javë duke shkuar në palestër, si dhe bërja e ushtrimeve që përmirësojnë fleksibilitetin si joga

Një çështje që përmendet shpesh është nëse është e mjaftueshme bërja e 10 mijë hapave në ditë?

Pothuajse të gjithë kanë dëgjuar për këtë synim, i cili filloi në kuadër të një fushate marketingu të viteve 1960, në Japoni. Ekspertët, megjithatë, theksojnë se ky është vetëm një udhëzim.

Ne të gjithë kemi dëgjuar për bërjen e 10,000 hapave në ditë. Kjo u nxit nga një fushatë reklamuese në vitet 1960 që mbijetoi në mendjen e njerëzve pavarësisht se nuk është vërtet e bazuar në ndonjë zbulim shkencor”, shpjegon doktoresha Eby.

Vendosja e një objektivi kohor mund të jetë gjithashtu e dobishme. Doktoresha Eby sugjeron 150 minuta në javë, të ndara në 30 minuta ecje në ditë.

Në këtë mënyrë, kjo është një shëtitje e shpejtë 30 minutëshe, pesë ditë në javë dhe me këtë keni treguar kujdes ndaj vetës”.

Gjatë motit të keq, njerëzit mund të ecin në ambiente të mbyllura si qendrat tregtare apo duke përdorur pajisjet për ecje dhe vrapim në palestër.

Me kalimin e kohes dhe përgatitjen fizike, mund të shpejtohet ritmi i të ecurit, ose duke ecur në rrugë të përpjeta.

Ecja me miqtë, ose me kafshët shtëpiake, si qentë, është një mënyrë tjetër motivimi për të ecur.

Një tjetër mundësi është t’i bashkohesh një klubi. Grupe të tilla gjenden gjithandej Shteteve të Bashkuara që synojnë të ndihmojnë njerëzit të arrijnë qëllimet e tyre të ecjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat