​Deri në çfarë mase kolesteroli ndikon në rrezikun nga demenca?

Shëndetësia

​Deri në çfarë mase kolesteroli ndikon në rrezikun nga demenca?

Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

Shkencëtarët kanë zbuluar se nivelet e kolesterolit mund të lidhen ndjeshëm me rrezikun e zhvillimit të demencës.

Luhatjet e niveleve të kolesterolit gjatë disa viteve mund të rrisin shanset e kësaj sëmundjeje deri në 60 për qind, sipas një studimi të ri që përfshin 10.000 njerëz, shkruan Science Focus.

Hulumtimi sugjeron gjithashtu se ndryshueshmëria e lartë e kolesterolit - lëvizja nga nivelet e larta në të ulëta - mund të shoqërohet me një rrezik në rritje të rënies së përgjithshme njohëse, e cila u rrit me 23 për qind.

"Ata që përjetojnë ndryshime të mëdha nga viti në vit mund të kërkojnë monitorim më të kujdesshëm dhe ndërhyrje parandaluese," tha autori kryesor i studimit Zhen Zhou pranë Universitetit Monash në Australi.

Hulumtimet kanë treguar se luhatjet e mëdha vjetore të kolesterolit LDL ("i keq") mund të çojnë në një rënie më të shpejtë njohëse krahasuar me njerëzit me nivele të qëndrueshme. Megjithatë, luhatja e madhe e kolesterolit "të mirë" nuk ndikoi në rrezikun e rënies njohëse.

Në SHBA, pak më shumë se një në katër individë kanë nivele të larta të LDL, të cilat profesionistët e shëndetësisë e përcaktojnë si më shumë se 130 mg për decilitër gjak.

Nga ana tjetër, nivelet e LDL nën 100 mg për decilitër konsiderohen optimale, veçanërisht për njerëzit me diabet ose sëmundje të zemrës. Arsyeja e saktë pse luhatjet në nivelet e LDL mund të rrisin rrezikun e demencës nuk është plotësisht e qartë.

Një shpjegim i mundshëm është se luhatjet e rëndësishme mund të destabilizojnë pllakën aterosklerotike - grumbullimi i kolesterolit dhe depozitave të tjera që mund të krijohen në arterie.

"Ky destabilizim mund të rrisë rrezikun e rritjes, këputjes dhe pengimit të rrjedhës së gjakut në tru, gjë që mund të ndikojë në funksionin e trurit," shpjegoi Zhou.

Para fillimit të periudhës gjashtëvjeçare të vëzhgimit, asnjë nga pjesëmarrësit – në të shtatëdhjetat e tyre, nga Australia dhe SHBA - nuk kishte demencë.

Në fund të studimit, pak më shumë se pesë për qind e pjesëmarrësve kishin demencë, ndërsa gati 18 për qind kishin rënie njohëse pa demencë. Pjesëmarrësit me nivele të qëndrueshme të kolesterolit kishin rrezik shumë më të ulët të të dyja gjendjeve neurologjike.

Ka shumë mënyra për të ulur kolesterolin, si shtimi i aktivitetit fizik, lënia e duhanit, reduktimi i alkoolit, ndërrimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë të yndyrave të ngopura – si gjalpi, ëmbëlsirat dhe ushqimet e përpunuara – me ushqime me yndyra të pangopura, si vaji i ullirit, arrat, farat dhe peshku yndyror.

Në nivel global, nivelet e larta të kolesterolit të keq çuan në 3.72 milionë vdekje në vitin 2021. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat