Sezoni i qumështit të bletës, shëruesi magjik i shumë sëmundjeve

Shëndetësia

Sezoni i qumështit të bletës, shëruesi magjik i shumë sëmundjeve

Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 00:35
Ilustrim

Përdorimi i qumështit të Bletës po njeh një zgjerim të konsiderueshëm në tregun shqiptar. Çdo pikë qumështi i bletës është jetë. Vlerësohet si nektari i perëndive për nga vlerat e jashtëzakonshme shëruese që ka për shëndetin.

Pikërisht qershori është muaji në të cilin ky produkt prodhohet dhe fillon të shitet nga bletarët, prandaj dhe këshillohet që të konsumohet në këtë periudhë.

I njohur ndryshe me emrin “Xhelatina Mbretërore” qumështi i bletës është ndër më të kërkuarit në botë. Sot ai është shndërruar në një biznes fitimprurës për bletarët shqiptarë krahas prodhimit të mjaltit.

Ashtu si në çdo vend të botës ai shitet në sasi shumë të kufizuar ndaj dhe vlera e tij përherë e më shumë bëhet më e shtrenjtë. Ai ambalazhohet në minishishe qelqi dhe shitet në gramatura shumë të vogla.

Nisur për nga vlera e lartë dhe fitimprurëse, bletarët shqiptarë kanë fokusuar biznesin e tyre prej disa vitesh edhe në shitjen e qumështit të bletës ndërsa e vlerësojnë këtë mënyrë biznesi edhe më fitimprurës se sa shitja e mjaltit.

Kërkesa për qumështin e bletës në rritje

Bletarët shprehen për AgroWeb.org se kërkesa për qumështin e bletës është gjithnjë në rritje ndaj dhe ata janë duke i kushtuar vëmendje përherë e më të lartë nxjerrjes së këtij qumështi të artë.

Vjelja e qumështit të bletës kërkon një mjeshtëri të posaçme pasi i gjithë procesi është shumë delikat.

Qumështi i bletës që prodhohet nga gjëndrat e bletëve punëtore shërben për të ushqyer larvat gjatë tri ditëve të para si dhe për të ushqyer mbretëreshën.

Ky ushqim e mban mbretëreshën në jetë për 8 vjet, një fakt interesant ky, duke ditur që një bletë e zakonshme, e cila ka lindur nga e njëjta vezë me mbretëreshën, jeton vetëm 21 ditë.

Qumështi i bletës ka ngjyrë të bardhë në të verdhë, është si krem, ka shije të thartë dhe pak aromë.

Vlerat kurative për shëndetin

Vlerësohet si një super ushqim i fuqishëm për shkak të vlerave që ai mbart. Qumështi i Bletës përmban ujë, lëndë minerale, yndyrna, proteina, karbohidrate, vitamina etj.

Ai mund të përdoret për kurimin e një sërë sëmundjesh si: Hipertiroidisem, Diabeti, Hiperkolesterolemi, hipertrigliceridemi (kolesterol dhe trigliceride të larta), sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, sëmundje kronike të mushkërive, sëmundje të gojës, probleme me mishrat e dhëmbëve, probleme të fytit, sëmundje të veshkave, artrite reumatoide, probleme me riprodhimin, ndihmon në periudhat e premenopauzës etj

Ai rekomandohet që të përdoret herët në mëngjes duke e marrë nën gjuhë. Kjo pasi aty ka mjaft enë gjaku që bëjnë thithjen e menjëhershme dhe kalimin në gjak.

Zgjatja e kurimit është e ndryshme dhe varet nga shkalla e sëmundjes ose qëllimi për të cilin përdoret, por asnjëhere më pak se një muaj.

Ka efekt qetësues dhe çlodhës, ul nivelin e hormoneve të tiroides. Ai është një pastrues fantastik për organizmin nga toksinat.

Ndihmon funksionimin e veshkave, rrit jetëgjatësinë e njerëzve, duke ruajtur rininë e enëve të gjakut. Zgjeron enët e gjakut, ndihmon në uljen e kolesterolit dhe triglicerideve dhe rrit imunitetin.

Ky qumësht ndihmon në formimin e rruazave të kuqe të gjakut, këshillohet në anemi dhe ndihmon në mikrohemorragji. Në lëkurë, rregullon prodhimin e yndyrës.

Përdoret në kozmetikë, sepse ndihmon në pastrimin dhe rinimin e lëkurës. Përdoret si agjent antibakterial dhe antivirusal lokal për probleme të ndryshme të lëkurës. Te fëmijët e sapolindur ndihmon në rritjen në peshë.

Qumështi i bletës, nxit gjëndrat riprodhuese, ndihmon prodhimin e vezoreve, gjatë shtatzanisë, duke rritur nivelin e progesteronit në gjak.

Rrit nivelin e testosteronit në gjak, duke ndihmuar në problemet e potencës mashkullore. Stimulon gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon në sëmundje si artriti ose lodhja kronike.

Ndihmon në funksionimin e mëlçisë dhe sëmundjet e saj, hepatite dhe rigjeneron strukturën e mëlçisë.

Rekomandohet që kura duhet të zgjasë një muaj, maksimumi tre muaj, ndërkohë që dozat kurative duhet të ndërmerren sipas specifikimeve përkatëse.

Vlerësohet se asnjë ilaç nuk mund të zëvendësojë vlerat kurative të Qumështit të Bletëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat