Në dimër, mungesa e ekspozimit ndaj rrezeve të diellit çon në ulje të niveleve të vitaminës D, vitaminë kyçe kjo për shëndetin e kockave dhe funksionimin e sistemit imunitar.
Studimet tregojnë se mungesa e kësaj vitamine lidhet me lodhjen, humorin e ulët dhe rritjen e rrezikut për infeksione.
Për të kompensuar mungesën e diellit, rekomandohet konsumimi i ushqimeve të pasura me vitaminë D, si peshku yndyror (salmoni, sardelet), vezët dhe produktet e qumështit të fortifikuara.
Gjithashtu, suplementet me vitaminë D janë një alternativë e mirë, sidomos për ata që kalojnë shumë kohë brenda pa u ekspozuar në diell.
Simptomat më të zakonshme të mungesës së vitaminës D përfshijnë lodhje të vazhdueshme, dhimbje muskujsh dhe kockash, rënie të imunitetit që shkakton infeksione të shpeshta, si dhe ndryshime të humorit që shpesh manifestohen si depresion ose ndjenjë e përgjithshme dobësie.
Në raste më të rënda, mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë probleme me forcën dhe densitetin e kockave.