Ilaçet GLP-1 si Ozempic janë ndër zbulimet më të rëndësishme në historinë e mjekësisë. Këto ilaçe për shumë përdorime, mund të shndërrojnë mënyrën si luftohen sëmundjet kronike, shkruan The Economist
Gjatë historisë së mjekësisë, ka pasur disa ilaçe që dallohen nga të tjerët. Humira për artritin rheumatoid, Prozaku për depresionin, statinat për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.
Të gjitha këto ilaçe kanë tejkaluar pritshmëritë e mjekëve dhe vazhdojnë të kurojnë sëmundje për miliona njerëz çdo ditë. Këtyre do t’i bashkohet një klasë e re ilaçesh që mund t’i lërë të gjithë në hije: agonistët GLP-1.
Këto ilaçe imitojnë funksionin e një hormoni të prodhuar nga trupi, të quajtur GLP-1, dhe janë përdorur për dekada për trajtimin e diabetit. Kohët e fundit, ato janë bërë një mënyrë jashtëzakonisht popullore për të humbur peshë.
Por në mars, semaglutidi (një agonist i receptorit GLP-1, i shitur me emrin “Ozempic” për të kuruar diabetin dhe me emrin “Wegovy” për humbje peshe), u miratua në Amerikë për të trajtuar sëmundjet kardiovaskulare te njerëzit mbipeshë.
Në prill, tirzepatidi (i shitur nën emrat e markave “Mounjaro” dhe “Zepbound”) tregoi rezultate pozitive në provat e fazës së vonë për trajtimin e apnesë së gjumit, që është një çrregullim i frymëmarrjes. Në prova të tjera, ai ka dalë efikas edhe në luftimin e sëmundjes kronike të veshkave.
Ky është vetëm fillimi. Agonistët GLP-1 po vihen në provë për gjithçka, nga kurimi i sëmundjes së mëlçisë, deri te varësia ndaj drogës. Madje, një kompani po shqyrton provat nëse këto ilaçe mund të shërbejnë si parandalues për njerëzit që janë në rrezik obeziteti.
Pacientët që marrin semaglutide mund të kenë një rrezik më të ulët për të vdekur nga një mbidozë e opioideve, çka tregon se këto ilaçe mund të përdoren edhe për të trajtuar varësinë nga opioidet.
Ato shihen si një trajtim i mundshëm për infeksionet afatgjata, po hetohen si kurë për vonimin e Alzajmerit dhe madje po përflitet edhe për efektet e tyre kundër plakjes dhe përdorimin si ilaçe për jetëgjatësinë.
Kohët e fundit, kardiologu Eric Topol, i cili drejton institutin kërkimor Scripps Research, në San Diego, Kaliforni, i quajti ilaçet GLP-1 “përparimi më i rëndësishëm për grupin e barnave, në historinë mjekësore”.
Gara e kompanive farmaceutike
Kompanitë farmaceutike po garojnë për të gjetur, për të vënë në provë dhe për të tregtuar versione dhe përdorime të reja për këto ilaçe.
Megjithatë, mbetet një pyetje: si mundet që agonistët GLP-1, të krijuara fillimisht për të ndihmuar me diabetin, të kenë një grup kaq të larmishëm efektesh të dobishme në të gjithë trupin? Ndërsa kërkojnë përgjigje, shkencëtarët po gjejnë hollësi befasuese në lidhje me rolet e shumta të hormonit GLP-1.
Këto ilaçe duket se aktivizojnë mekanizmat bazë mbrojtës të qelizave, si ulja e inflamacionit dhe pastrimi i mbeturinave, duke i mbajtur organet më të shëndetshme.
Ato gjithashtu kanë efekte të fuqishme në tru, përmes të cilit mund të ndikojnë më tej në shëndetin e pjesës tjetër të trupit, madje edhe të ndikojnë në sjelljen e njeriut.
Çfarë është GLP-1
GLP-1 është një hormon jetëshkurtër që zakonisht lëshohet në zorrë, pas ngrënies së një vakti. Pasi hyn në gjak, ai ndihmon në rregullimin e niveleve të glukozës, duke nxitur pankreasin që të çlirojë insulinë (e cila ul nivelet e sheqerit në gjak) dhe duke ndalur glukagonin (i cili rrit nivelet e sheqerit).
Ai gjithashtu nxit ndjesinë e ngopjes, duke vepruar në zorrë për të ngadalësuar mënyrën se si ushqimi lëviz nëpër të. Hormoni vepron edhe në tru, konkretisht në hipotalam, që është pjesa e trurit që kontrollon urinë dhe ngopjen; dhe gjithashtu në rrugët e trurit që formojnë dëshirat e njeriut.
Duke qenë se hormoni GLP-1 rregullon sheqerin në gjak, ilaçet që e imitojnë atë, ndihmojnë në trajtimin e diabetit, dhe fakti që agonistët GLP-1 nxisin ngopjen dhe frenojnë efektet në tru që lidhen me të ngrënit, shpjegon pse këto ilaçe kanë qenë të dobishme për humbjen e peshës.
Në një pamje të parë, efektet më të gjera që po vihen re nga ilaçet GLP-1 mund të duken si përfitime ndihmëse që shoqërohen me rënien në peshë, sepse obezët priren më shumë për të vuajtur nga një sërë problemesh të tjera serioze shëndetësore, si sëmundjet e zemrës, kanceri, apnea e gjumit, kolesteroli dhe sëmundjet e mëlçisë, kështu që humbja e peshës përmirëson shëndetin e përgjithshëm. Megjithatë, hulumtimet tregojnë se nuk është kjo arsyeja e vetme.
Një studim i më shumë se 17,600 pacientëve mbipeshë dhe obezë nga 41 shtete, të cilët morën semaglutide, zbuloi se pjesëmarrësit humbën rreth 10% të peshës trupore dhe atyre ju ulën me 20% shanset për ndërlikime koronare, goditje në tru, atak në zemër dhe vdekshmëri. Dhe më e rëndësishmja, këto përmirësime kardiovaskulare ndodhën përpara çdo humbjeje domethënëse në peshë.
Ilaçe për shumë përdorime
Për pacientët që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, ilaçet GLP-1 funksionojnë duke u lidhur me receptorët në qelizat e zemrës dhe enët e gjakut.
Kjo ndihmon në kontrollin më të mirë të presionit të gjakut dhe niveleve të kolesterolit. Ilaçet ndihmojnë gjithashtu qelizat e zemrës që ta përdorin glukozën në mënyrë më efikase dhe të pakësojnë stresin oksidativ, me fjalë të tjera, dëmin e shkaktuar nga molekulat reaktive që janë nënprodukte të metabolizmit në qeliza.
Semaglutidi është provuar se nxit prodhimin e oksidit nitrik, i cili shtendos enët e gjakut dhe ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut në zemër.
Aftësia e ilaçeve
Pikërisht kjo aftësi e ilaçeve GLP-1 për të trajtuar probleme të ndryshme shëndetësore në të njëjtën kohë është ajo që i bën ato kaq interesante. Shumë njerëz që janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës ose diabetit janë mbipeshë, kanë tension të lartë ose kanë nivele të pashëndetshme të sheqerit dhe yndyrave në gjak.
Ka ilaçe që e trajtojnë secilin prej këtyre problemeve individualisht, por agonistët GLP-1 veprojnë si një thikë molekulare me disa presa. (Endokrinologët kanë vënë re diçka të ngjashme në rastin e diabetit të tipit 2: agonistët GLP-1 përmirësojnë shumicën e tetë defekteve thelbësore që sjell kjo sëmundje, të njohura si “oktet ogurzeza”, që përfshijnë uljen e sekretimit të insulinës dhe përthithjen e saj në indet periferike si muskujt.)
Daniel Drucker, shkencëtar në Institutin Kërkimor Lunenfeld-Tanenbaum, në Spitalin Mount Sinai në Toronto, thotë se nëpërmjet receptorëve GLP-1 “qelizat mund të mbahen në një gjendje më të shëndetshme dhe të jenë më pak të rrezikuara ndaj vdekjes”.
Ky efekt mbrojtës funksionon në shumë organe, qelizat e të cilave kanë receptorë GLP-1 dhe të cilat mund t’i arrijë hormoni GLP-1 (ose një ilaç që imiton atë).
Për shembull, në mëlçi mund të përmirësojë funksionin e saj dhe të ulë nivelet e yndyrës. Në rastin e sëmundjeve kronike të veshkave, mund të pakësojë pasojat negative dhe të ulë shanset e vdekjes, pavarësisht nga aftësia për të kontrolluar glukozën në gjak.
Agonistët GLP-1 veprojnë edhe në disa qeliza të sistemit imunitar, duke ulur prodhimin e molekulave inflamatore, të njohura si citokina. Inflamacioni është pjesë e përgjigjes natyrore imunitare të trupit, ndaj lëndimit ose infeksionit.
Por inflamacioni kronik mund të dëmtojë indet dhe nxit problemet shëndetësore si kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare, neurodegjenerative dhe autoimune. Pra, ulja e inflamacionit kronik është shumë e rëndësishme.
Tashmë dihet se GLP-1 luan rol në zbutjen e inflamacionit në zorrë, që mund të shkaktojë infeksion pas ngrënies së një vakti.
Por kur njerëzit kanë Shigella, Salmonella ose ndonjë lloj diarreje infektive, doktor Drucker thotë se nivelet e hormonit GLP-1 rriten me “10 ose 20 herë”. Hormoni lidhet pas qelizave imunitare që janë të pranishme në organ, për të mbajtur të ulët inflamacionin.
Ulja e inflamacionit është zakonisht arsyeja që shpjegon pse pacientët që marrin agonistë GLP-1 për diabetin ose obezitetin përjetojnë edhe përmirësime të problemeve të tjera shëndetësore, si artriti, koliti ulceroz ose mjegulla e trurit post-covid.
Fatima Stanford, mjeke që bën kërkime mbi obezitetin në Massachusetts General Hospital dhe Fakultetin Mjekësor të Harvardit, thotë se pacientët që kanë pasur edhe më parë sëmundje të tjera reumatike, kanë pasur gjithashtu përmirësim të simptomave pas marrjes së ilaçeve GLP-1 për humbje peshe. Ka edhe prova që tregojnë se këto ilaçe ndihmojnë me inflamacionin në lëkurë, mëlçi dhe veshka, madje edhe në tru.
Jo të gjitha organet e trupit kanë receptorë GLP-1 në sipërfaqet e qelizave të tyre, dhe nuk kanë as qeliza imune aty pranë që mund të aktivizohen nga hormoni GLP-1. Por ato përfitojnë nga efektet antiinflamatore të agonistëve GLP-1, falë mënyrës sesi këto ilaçe veprojnë në tru.
Truri ka me bollëk receptorë GLP-1 dhe megjithëse një sasi shumë e vogël ilaçi mund të kalojë barrierën gjak-tru (filtri që mbron trurin nga substancat e dëmshme), provat kanë treguar se agonistët GLP-1, mund të aktivizojnë rrugët që transmetojnë sinjale tek këta receptorë thellë në tru.
Nuk është ende shumë e qartë se si funksionon kjo, por gjatë provave është vërtetuar se nëse bllokohen receptorët GLP-1 në trurin e minjve, atëherë ilaçet humbasin aftësinë e tyre për të mposhtur inflamacionin në trup.
Ky zbulim, i publikuar në janar nga doktor Drucker dhe kolegët e tij, tregon se në trup ka një rrjet komunikimi midis zorrëve, trurit dhe sistemit imunitar, që mund të kontrollojë inflamacionin sistemik.
Kjo më pas ndikon në shëndetin e organeve të ndryshme të trupit, si lëkura, mushkëritë ose muskujt, që nuk kanë shumë (ose fare) receptorë GLP-1.
Për shkak se ulin inflamacionin dhe përmirësojnë shëndetin e neuroneve në tru, ilaçet GLP-1 kanë tërhequr interes edhe si trajtime të sëmundjeve neurodegjenerative, si Alzajmeri.
Deri tani, hulumtimet kanë treguar se ilaçet GLP-1 mund të përmirësojnë të mësuarit dhe kujtesën dhe të zvogëlojnë grumbullimin e proteinave amiloide në trurin e brejtësve. Ilaçet gjithashtu zvogëlojnë përgjigjet inflamatore dhe stresin oksidativ, dy faktorë kontribuues në sëmundjen e Alzajmerit.
Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti Imperial College London, që përfshin më shumë se 200 pacientë me Alzajmer në fazat fillestare të sëmundjes, zbuloi se pas një viti të marrjes së ilaçit GLP-1, tkurrja e trurit ishte ulur me pothuajse 50% dhe rënia e aftësisë njohëse me deri në 18%.
Përfitimet për trurin
Këto të dhëna kanë bërë që ilaçet GLP-1 të jenë tepër të kërkuara nga endokrinologë të ndryshëm. Njëra prej tyre është Caroline Messer, themeluesja e klinikës Well by Messer në Nju Jork, që ndihmon pacientët për humbjen e peshës.
Ajo dëshiron që t’i përdorë këto ilaçe për të trajtuar pacientët atëherë ku mendon se është e përshtatshme dhe dëshiron t’u japë semaglutide dhe tirzepatide pacientëve që kanë dëmtim të lehtë të aftësive njohëse të trurit ose që kanë Alzajmer të hershëm.
Deri tani nuk janë kryer ende testet përkatëse klinike që rregullatorët i konsiderojnë ligjërisht si prova. Por doktoresha Messer thotë se pacientët që po përjetojnë rënie të aftësive mendore të njohjes nuk mund të presin, dhe ilaçet GLP-1 tashmë kanë treguar se janë mjaftueshëm të sigurta.
Pra, edhe nëse përfundimisht vërtetohet se këto ilaçe nuk janë efektive për humbjen e kujtesës, ato tashmë dihet se ulin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe goditjes në tru, shprehet doktoresha.
Ajo shton se ka shumë lidhje midis diabetit dhe Alzajmerit, gjë që e bën këtë grup ilaçesh shumë premtues, për sa i përket ndikimit të tyre në insulinë dhe kontrollin e stresit oksidativ. Disa madje e kanë quajtur Alzajmerin “diabetin e tipit 3”, pasi duket se kjo sëmundje mendore ka si tipar qëndresën ndaj insulinës në tru.
Një rrugë tjetër premtuese për agonistët GLP-1 është suksesi i mahnitshëm që kanë pasur deri tani në përdorimin si ilaçe për humbje peshe. Kjo falë aftësisë së tyre për të bashkëvepruar me mekanizmat në tru që lidhen me dëshirat dhe ndjenjat e të ngrënit.
Të dhënat shëndetësore tregojnë se personat që marrin semaglutide për arsye të tjera, kanë edhe një shans më të ulët për të pasur çrregullime që kanë lidhje me varësinë ndaj substancave.
Dhe një studim i kohëve të fundit zbuloi se pacientët që abuzonin me opioidet ose alkoolin, po të merrnin ilaçin GLP-1 për arsye të tjera, kishin shkallë më të ulët të mbidozës me opioide dhe deheshin më rrallë.
Eksperimentet me majmunë kanë treguar se liraglutidi mund të zvogëlojë konsumin e alkoolit, megjithëse provat te njerëzit kanë qenë jopërfundimtare.
Mos prisni mrekulli
Ndërsa gjithnjë e më shumë pacientë po përdorin ilaçet GLP-1, janë përhapur edhe lajmet e fryra për përfitimet e tyre (si dhe për efektet anësore).
Është përhapur besimi se ato bëjnë mrekulli në uljen e varësisë ndaj drogës dhe alkoolit. Doktor Messer thotë se pacientë pa fund i kanë thënë se ky ilaç i ka shpëtuar martesën.
Nëse këto barna zbusin vërtet varësinë ndaj substancave të rrezikshme, ato do të gjenin përdorim të gjerë në trajtimin e abuzimit me alkoolin, duhanin dhe shumë droga të tjera.
Vitin e kaluar, neurofarmakologu Leandro Vendruscolo, në Institutin Kombëtar të Amerikës për Abuzimin me Drogën, e përshkroi semaglutidin si “drogën më premtuese të dekadave të fundit”.
Kyle Simmons, farmakolog në Qendrën e Universitetit Oklahoma për Shkenca Shëndetësore, mendon se këto ilaçe madje mund të sjellin revolucion në luftën kundër varësisë ndaj drogës.
Një fushë tjetër e mjekësisë, ku agonistët GLP-1 po krijojnë zhurmë, është luftimi i plakjes. Tashmë shkencëtarët e dinë se këto ilaçe i mbajnë qelizat e shëndetshme, ulin inflamacionin, stresin oksidativ dhe vdekjen e qelizave.
Këto probleme janë pikërisht faktorët më të mëdhenj të plakjes dhe sëmundjeve që lidhen me të.
Në shkurt, Michael Leone dhe Nir Barzilai në Kolegjin e Mjekësisë Albert Einstein në Nju Jork, shqyrtuan ilaçet që ishin miratuar nga rregullatorët dhe që mendohej se mund të zgjasin jetëgjatësinë. Ata e renditën secilin sipas aftësisë për të shënjestruar shenjat dalluese të plakjes.
Nga 12 barna ose grupe barnash, ilaçet GLP-1 u renditën në vendin e katërt. Dy nga barnat që u renditën lart, janë gjithashtu ilaçe për diabetin.
Më shumë, më lirë, më mirë
Kostoja e këtyre ilaçeve duket se do të jetë e madhe, duke marrë parasysh edhe nevojën për t’i marrë ato gjatë gjithë jetës. Por këto ka të ngjarë të jenë probleme të përkohshme.
Në vitet në vijim, falë rritjes së konkurrencës dhe riprodhimit të kopjeve të reja gjenerike, do të ulen çmimet dhe do të rritet qasja. Shtetet do të bisedojnë për ulje. Kompanitë indiane dhe kineze tashmë janë në garë për të prodhuar versione imituese të ilaçeve GLP-1 kur patentat të skadojnë në vendet e tyre.
Shpresohet gjithashtu se formulimet e reja do të përmirësojnë efikasitetin e ilaçeve të tanishme dhe se do të gjenden mënyra për të ulur efektet negative anësore, si humbja e masës muskulare, efektet e pakëndshme gastro-intestinale, apo edhe nevojën për ta injektuar ilaçin.
Disa firma po provojnë t’i prodhojnë këto ilaçe në formë pilulash, që do të ishte një hap i madh përpara, sepse duke qenë më e lirë për t’u prodhuar dhe për t’u shpërndarë, do të zgjerohej shumë numri i përdoruesve.
Duke qenë se ilaçet GLP-1 përdoren për të luftuar probleme të ndryshme shëndetësore, kërkesa për to do të jetë e lartë, si nga mjekët, dhe nga pacientët. Pasi të jenë kapërcyer mungesat e furnizimit, qeveritë duhet të llogarisin çfarë ndikimi do të kenë këto ilaçe në buxhetet shëndetësore tashmë të tendosura.
Ende nuk dihet me saktësi nëse pacientët duhet t’i marrin këto ilaçe përjetë dhe me çfarë kostoje dhe përfitimi. (Për shembull, rreziqet e përdorimit afatgjatë te pacientët që nuk janë diabetikë, nuk janë ende të qarta.)
Pra, vlerësimet se sa do të përdoren barnat, nuk janë bërë ende. Për më tepër, përdorimi i tyre si parandalues ose si përmirësues të shëndetit të përgjithshëm, mund të kursejë para në të ardhmen.
Por ky përfitim është i vështirë të matet dhe buxhetet e tanishme janë tepër të ngushta. Me siguri do të duhet shumë kohë derisa sistemet e shëndetit publik t’i miratojnë këto ilaçe si trajtime parandaluese.
Ilaçet GLP-1 tashmë kanë ndikim të madh në industrinë farmaceutike, me një numër të madh ilaçesh të reja në treg (shih grafikun).
Por edhe shumë lloje të tjera biznesi po e ndiejnë efektin. Disa janë të dukshme: për shembull, industrinë ushqimore e ka zënë frika se suksesi i këtyre ilaçeve në uljen e oreksit mund të zvogëlojë fitimet e tyre.
Vitin e kaluar, Banka Morgan Stanley publikoi një sondazh me 300 pacientë, të titulluar “A mund t’i kushtojnë ilaçet e mbipeshës industrisë ushqimore?”
Studimi zbuloi se këto ilaçe pakësojnë marrjen e kalorive me midis 20% dhe 30%, dhe se kjo mund të ketë pasoja afatgjata për bizneset e lidhura me ushqimin, veçanërisht ato që shesin ushqime më të pashëndetshme me përmbajtje të lartë yndyre, sheqeri dhe kripe.
Por natyrisht që zakonet e të ngrënit nuk ndryshojnë dot brenda natës. Industria e ushqimit ka mjaftueshëm kohë që të përshtatet, duke ofruar sasi më të vogla ushqimi dhe mundësi më të shëndetshme.
Analistë të tjerë kanë parashikuar se këto ilaçe do të çojnë edhe në një rritje të interesit për fitnesin dhe veshjet sportive nga njerëz që dikur ishin mbipeshë, dhe që duan të ruajnë masën muskulare. Disa hamendësojnë gjithashtu se ndikimi psikologjik i humbjes së peshës, mund të shtrihet edhe në rritjen e interesit për produktet kozmetike.
Pasojat tregtare të përhapjes së këtyre ilaçeve, sapo kanë filluar të shqyrtohen. Marrim një pasojë për të cilën ndoshta nuk do t’ju shkonte mendja: ndikimi në biznesin e aviacionit.
Analistët në Bankën e investimeve Jefferies llogaritën në vitin 2023 se nëse një pasagjer i zakonshëm i United Airlines do të humbiste 10 paund (4.5 kg), kjo do t’i kursente linjës ajrore 80 milionë dollarë në vit në kostot e karburantit.
Hyrja në treg e ilaçeve GLP-1 ka ndryshuar edhe mënyrën se si shihet obeziteti: ai nuk konsiderohet më si një sëmundje që shkaktohet nga mungesa e vullnetit, por si një gjendje kronike nga e cila trupi nuk shpëton dot kurrë.
Por diabeti dhe obeziteti janë vetëm dy nga shumë problemet shëndetësore që mund të shënjestrohen nga këto ilaçe. Nuk ka pasur asnjëherë barna të tilla që mund të kenë një ndikim kaq revolucionar në shëndetin, jetëgjatësinë dhe lumturinë e njeriut.