Të heqësh dorë nga alkooli për një muaj mund të sjellë përfitime të shumta si: përmirësim të shëndetit, rënie në peshë, gjumë më të mirë dhe më shumë energji.
Pas festave të fundvitit, miliona njerëz përfshihen në sfidën mujore të njohur si “Dry January”. Gjatë periudhës së festave, konsumimi i alkoolit mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit. Një gotë bëhet dy, pastaj tre dhe papritur, shishja ka mbaruar.
“Varësia të zë ngadalë,” thotë Tommie Trevino, këshilltar për abuzimin me substancat në “UC Davis Health”.
“Kur dikush nis të pyesë veten nëse ka një problem me alkoolin, unë i këshilloj të qëndrojnë pa alkool për 30 ditë. I them: ‘Nëse nuk mund të ndalosh për 30 ditë, përse jo?’. Kjo është një mënyrë për të rivlerësuar marrëdhënien me alkoolin,” shton Trevino.
Çfarë është?
“Dry January” është një nismë shëndetësore publike e lançuar në vitin 2013 nga “Alcohol Change UK”.
Sfida? Qëndro pa alkool për 31 ditë
Kjo iniciativë synon t’u vijë në ndihmë njerëzve që shqetësohen se po konsumojnë shumë (ose shumë shpesh) alkool dhe duan të ngadalësojnë ritmin. Po ashtu, është një mënyrë e mirë për të nisur vitin e ri me një stil jete më të shëndetshëm.
Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të çojë në sëmundje kronike si tension i lartë, sëmundje të zemrës dhe probleme me mëlçinë. Gjithashtu, alkooli rrit rrezikun e disa llojeve të kancerit, përfshirë atë të gojës, fytit, ezofagut, zorrës së trashë dhe gjirit.
Përfitimet e heqjes dorë nga alkooli për një muaj
Të qëndrosh pa alkool për një muaj mund të duket sfidë e vështirë, por sjell përfitime të shumta për shëndetin, thotë Trevino:
• Rënie në peshë
• Gjumë më i mirë
• Përmirësim i humorit dhe i niveleve të energjisë
• Aktivitet fizik më i shtuar për shkak të energjisë së shtuar
• Dietë më e mirë, me më pak kalori boshe
• Uljen e yndyrës në mëlçi dhe të sheqerit në gjak
• Uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer
Sipas Trevino, një muaj është kohë e mjaftueshme për të vlerësuar marrëdhënien me alkoolin.
6 këshilla për ta përballuar me sukses sfidën
Nëse mendoni se do ta keni të vështirë të qëndroni pa alkool për një muaj, “NIAAA” (“National Institute on Alcohol Abuse and Alcoholism”) ofron disa këshilla të dobishme:
1. Reflektoni për arsyet pse pini alkool.
A pini për t’u argëtuar, për të menaxhuar stresin apo për të fjetur më lehtë? Gjeni alternativa më të shëndetshme, si p.sh. të luani lojëra në festa, të takoni miq për një shëtitje apo të meditoni.
2. Njoftoni miqtë dhe familjen për planin tuaj.
Kërkoni mbështetje nga ata ose ftoni dikë që t’ju bashkohet në sfidë.
3. Siguroni pije pa alkool në festa dhe takime.
Falë popullaritetit të “mocktail”-eve, pijet pa alkool nuk kanë pse të jenë të mërzitshme.
4. Përgatitni një përgjigje të thjeshtë dhe të sjellshme për të refuzuar pijet alkoolike.
Një “Jo, faleminderit” e thjeshtë mund të jetë më efektive sesa mendoni.
5. Vëzhgoni ndryshimet që keni gjatë muajit.
A po flini më mirë? A keni më shumë energji? Bëni shënime për përfitimet që ndieni gjatë sfidës, pasi kjo mund t’ju ndihmojë të vazhdoni.
6. Bëni një plan për të mos rikthyer zakonet e vjetra pas janarit.
Si me çdo ndryshim të zakoneve, është e lehtë të ktheheni në rutinën e vjetër nëse nuk keni një plan afatgjatë në vend