Njerëzit që konsumojnë sasi të mëdha ushqimesh ultra të përpunuara (UPF), si ushqime të gatshme, kanë rreth 25% më shumë gjasa të vdesin nga sëmundja e Parkinsonit, sipas një studimi me mbi 400,000 pjesëmarrës.
Gjithashtu, personat që konsumojnë rregullisht ushqime të përpunuara kanë rreth 10% më pak shanse për të mbijetuar një goditje në tru ose atak në zemër.
Pavarësisht sëmundjeve të tjera, konsumimi i lartë i ushqimeve ultra të përpunuara rrit rrezikun e vdekjes së hershme me 4%.
Sidoqoftë, zëvendësimi i një pjese të vogël të ushqimeve të përpunuara me fruta dhe perime mund të ulë rrezikun e vdekjes nga të gjitha shkaqet me 6%.
Studimi, i cili përfshiu mbi 400,000 evropianë nga nëntë vende të ndryshme, moshat 35 deri 74 vjeç, u zhvillua për një periudhë gati 16-vjeçare. Dieta e tyre dhe rezultatet shëndetësore u ndoqën me kujdes.
Në raportin e publikuar në revistën shkencore The Lancet Regional Health – Europe, studiuesit theksojnë përfitimet që sjell ulja e konsumit të ushqimeve të përpunuara.
“Promovimi i konsumit të ushqimeve të papërpunuara ose minimalisht të përpunuara, ndërkohë që dekurajohet konsumimi i ushqimeve të përpunuara, mund të jetë i dobishëm për shëndetin,” shkruajnë ata.
Ushqimet ultra të përpunuara, si patatinat, ëmbëlsirat industriale, biskotat dhe disa mishra të paketuar, përmbajnë shpesh nivele të larta kripe, sheqeri dhe aditivësh industrialë si ngjyrues, përmirësues shije, emulsifikues dhe konservantë.