Në mes të lajmeve për mikroplastikën në ujin e paketuar dhe kimikatet e përjetshme në ujin e çezmës, shumë po pyesin: A ka një mënyrë më të mirë për t’u hidratuar? Për disa, përgjigjja duket të jetë “uji i papërpunuar”. Por çfarë është ky ujë?
Në termat më të thjeshtë, bëhet fjalë për ujë të pambuluar nga trajtime kimike apo procese filtruese - shpesh drejtpërdrejt nga burimi. Ndërsa ky trend ka fituar popullaritet në rrjetet sociale, ku njerëzit mburren duke pirë ujë të pastër natyral, mjekët paralajmërojnë se ky “eliksir natyral” mund të jetë një recetë për probleme të mëdha shëndetësore.
Nga infeksionet bakteriale deri tek sëmundjet parazitare, ja gjithçka që duhet të dini për ujin e papërpunuar dhe pse pirja e tij mund të jetë më e rrezikshme sesa mendoni.
Çfarë është uji i papërpunuar?
Uji i papërpunuar zakonisht nënkupton ujë të pa?ltruar dhe të patrajtuar, zakonisht i mbledhur direkt nga burime natyrore. Ky ujë po promovohet nga disa kompani dhe entuziastë që besojnë se është më i shëndetshëm dhe i pasur me përfitime natyrale.
Por ekspertët theksojnë se mungesa e trajtimit mund ta bëjë këtë ujë burim të sëmundjeve të rënda.
Çfarë ndodh nëse pini ujë të papërpunuar?
Problemet kryesore që lidhen me këtë ujë janë kontaminimi me bakterie, parazitë dhe toksina. Për shembull, rastet e kampilobakteriozës - një infeksion që shkakton diarre, dhimbje barku dhe ethe - janë dokumentuar nga CDC pas konsumit të ujit nga një përrua në Montana.
Mjekët theksojnë se rreziku nuk ndalon këtu: bakteret si E.coli, parazitët si giardia dhe sëmundje si leptospiroza (nga urina e kafshëve) janë vetëm disa nga kërcënimet që mund të fshihen në ujin e papërpunuar.
Duhet ta pini?
Sipas ekspertëve, përgjigjja është një “JO” e prerë. Përfitimet e ujit të trajtuar dhe të pastruar janë të pamohueshme dhe kanë ndihmuar në uljen e sëmundjeve infektive në mbarë botën.
Pra, përpara se të mbushni shishen tuaj të preferuar nga një burim natyror, mendoni dy herë: ai që duket si ujë i pastër mund të jetë çdo gjë tjetër përveçse i sigurt.