Cila është sëmundja “e heshtur” e syrit? Ja dëmet e pakthyeshme në shikim

Shëndetësia

Cila është sëmundja “e heshtur” e syrit? Ja dëmet e pakthyeshme në shikim

Më: 19 janar 2025 Në ora: 16:31
Ilustrim

Në morinë e sëmundjeve të syrit, Glaukoma njihet si sëmundja “e heshtur” e të parit, pasi dëmtimet nuk evidentohen në fazat fillestare për shkak se simptomat nuk janë shumë të dallueshme. Glaukoma dëmton nervin optik dhe dalëngadalë merr përparësi në dëmtimin e syrit, duke e bërë humbjen e pamjes të pakthyeshme.

Kush ka histori familjare të personave me glaukomë, duhet të kryejë vizita periodike te okulisti. Kjo sëmundje është gjenetike, duke rritur rrezikun e shfaqjes së saj edhe në mënyrë të hershme. Po ashtu përdorimi i kortizonikëve mund të jetë ndër shkaktarët e shfaqes së glaukomës, ndaj duhet të keni kujdes. Prof. Asoc Astrit Beci, Shef i klinikës së Okulistikës në Spitalin Rajonal të Shkodrës, i ftuar në studion e emisionit Diagnozë nga Freskida Miloti, renditi disa nga shkaktarët e shfaqjes se glaukomës.

“ Kur ke një prind i cili vuan nga glaukoma apo një gjysh që ka vuajtur nga glaukoma, apo një lidhje familjare të themi të kushërinjve e të tjerë, është e mira që këto ekzaminime të jenë sa më frekuente dhe më të shpeshta që të zbulohen në kohën e duhur. Duhet një vigjilencë e posaçme. Ju thatë një nga shkaktarët, shkaktarët e tjerë cilët janë? Shkak mund të jetë edhe një traumë e cila mund të komplikohet me rritje të presionit intraukular. Mosha është një faktor risku për glaukomën. Nëse më parë thuhej që mosha mbi 60 vjeç ishte risk, tani gjithmonë e më shumë po thuhet që mosha mbi 40 vjeç. Si përdorimi i kortizonikëve, ashtu edhe komplikacionet që vijnë nga diabeti, mund të japin komplikacione.” – tha mjeku.

Glaukoma në fazën e saj fillestare mund të trajtohet me ilaçe me pika, apo trajtime të moderuara sipas këshillës së okulistëve. E nëse stadet e sëmundjes kanë avancuar, është e nevojshme që të kryhet kirurgjia, si forma më efektive e parandalimit të dëmtimit të syve. Madje kirurgjia ka avancuar duke u përdorur tashmë ndërhyrja mikrokirurgjikale dhe me risitë më të fundit.

“Trajtimi bazë është trajtimi medikamentoz. Kryesisht ilaçet janë në përdorim me pika. Nëse është nevoja të marrim medikamente të tjera oral, apo nëse është nevoja të kombinojmë medikamentet me trajtimin kirurgjikal. Trajtimi kirurgjikal shpeshherë është i nevojshëm kur preparatet nuk arrijnë të mbajnë presionin okular aty ku duhet. Kemi jo vetëm trajtime kirurgjikale të përcaktuara prej kohësh si trabekulektomia, por tashmë përdoren edhe metoda kirurgjikale shumë fine nëpërmjet mikrokirurgjive dhe implanteve të mikrokirurgjisë, të cilat janë shumë më të suksesshme dhe më të lehta për t’u përballuar nga i sëmuri si ndërhyrje, me shumë më pak komplikacione.” – tha Prof. Asoc. Astrit Beci

Glaukoma njihet si një sëmundje e heshtur e syve, dhe simptomat janë vështirë për t’u dalluar, e megjithatë janë disa shenja paralajmëruese të cilat tregojnë se glaukoma ka nisur të shfaqet. Humbja e pjesshme apo e përkohshme e të parit është një nga shenjat alarmante, teksa edhe dhimbja e kokës është një paralajmërim për të kryer kontrolle të syve.

“ Shpesh pacientët paraqiten kur kanë dëmtime të pamjes qëndrore dhe pastaj ne do përpiqemi maksimalisht të ruajmë atë situatë në të cilën ata vijnë. Shenja parë shpesh tek të sëmurët është ulja e pamjes apo turbullimi i pamjes, nganjëherë me ndonjë dhimbje të lehtë koke dhe shpesh edhe dhimbja e kokës bëhet shkak për të bërë një vizitë te neurologu i cili shpeshherë i adreson ato për të bërë një fundëz të syrit. Në momentin që ato bëjnë një fundëz të syrit si kërkesë ndihme të neurologut për dhimbjen e kokës, ne zbulojmë që shkaku i kësaj dhimbje koke mund të jetë një ndryshim i nervit optik, një rritje e presionit intraukular, e cila jep një dhimbje të natyrës kryesisht trigeminale të njërës anë të kokës, sipas syrit më të dëmtuar.” – shtoi mjeku okulist.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat