Nëse më parë ëndrra për të rritur një fëmijë ishte pjesë e planeve tradicionale të jetës, për gjeneratën Z, kjo duket gjithnjë e më e largët. Arsyeja? Një kombinim i kostove të larta të jetesës, pasigurive ekonomike dhe prioriteteve të reja ka bërë që shumë të rinj të vendosin të bëhen prindër… por jo të fëmijëve njerëzorë. Në vend të kësaj, ata po zgjedhin të birësojnë kafshë shtëpiake, duke i kthyer macet, qentë, hardhucat dhe madje edhe kavjet në “fëmijët” e tyre të preferuar.
Kjo dashuri për kafshët ka ndikuar fuqishëm në tregun e punës, duke bërë që veterinerët të shpallen profesioni më i mirë i vitit 2025, sipas një raporti nga Indeed. Për herë të parë që nga viti 2019, ky profesion jo vetëm që është futur në listën e punëve më të mira, por është renditur në vendin e parë. Arsyeja? Të rinjtë e gjeneratës Z dhe janë më të gatshëm se kurrë të shpenzojnë për kafshët e tyre të dashura.
Sipas të dhënave, një veteriner fiton mesatarisht 139,999 dollarë në vit, shumë më tepër se paga mesatare amerikane prej 66,621 dollarësh. Përveç pagës së lartë, rritja e qëndrueshme e profesionit është e pamohueshme: që nga viti 2021 deri në vitin 2024, numri i vendeve të punës për veterinerë është rritur me 124%, me 1,065 postime pune për çdo 1 milion pozicione të tjera.
Ata shpenzojnë mesatarisht 178 dollarë në muaj për kafshët e tyre, më shumë se çdo brez tjetër. Në krahasim, mijëvjeçarët shpenzojnë 146 dollarë, brezi X 115 dollarë dhe “baby boomers” vetëm 90 dollarë. Për ta vendosur këtë në perspektivë, një mace që jeton mesatarisht 17 vite do t’u kushtojë prindërve të saj nga gjenerata Z plot 17,952 dollarë gjatë jetës së saj. Dhe ndonëse për shumë kjo mund të duket si një shifër e lartë, për këta të rinj, dashuria për kafshët e tyre nuk ka çmim.
Ndërsa rritja e fëmijëve kërkon një investim të madh financiar, kujdesi për kafshët ofron dashuri dhe përkushtim pa shumë nga “dramat” e jetës reale. Për gjeneratën Z, këto krijesa të dashura janë më shumë sesa kafshë - janë anëtarë të plotë të familjes dhe, siç duket, arsyeja kryesore pse veterinerët po përjetojnë një “boom” të vërtetë profesional.