Rriten rastet me kancer në mushkëri në mbarë botën, shkaktar jo vetëm pirja e duhanit! Agjencia e OBSH-së publikon studimin

Shëndetësia

Rriten rastet me kancer në mushkëri në mbarë botën, shkaktar jo vetëm pirja e duhanit! Agjencia e OBSH-së publikon studimin

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 10:45
Foto ilustrim

Agjencia e kërkimeve për kancerin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, IARC, ka publikuar studimin mbi shkaqet e rritjes së përqindjes së njerëzve të diagnostikuar me kancer në mushkëri që nuk kanë pirë kurrë duhan.

Sipas studimit, kanceri i mushkërive te njerëzit që nuk kanë pirë kurrë cigare, tani vlerësohet të jetë shkaku i pestë më i madh i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC), pasi faktor kryesor tashmë është ndotja e ajrit.

Kanceri i mushkërive te ata që nuk pinë kurrë duhan, po shfaqet si “adenocarcinoma”, e cila është bërë më dominuesja nga katër nëntipet kryesore të sëmundjes si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat globalisht, tha IARC.

Rreth 200,000 raste të adenocarcinomës u shoqëruan me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit në vitin 2022, sipas studimit të IARC të botuar në revistën Lancet Respiratory Medicine.

Rastet më të shumta për shkaktimin e adenocarcinomës nga ndotja e ajrit, u gjetën në Azinë Lindore, veçanërisht në Kinë, zbuloi studimi.

Në një intervistë për “The Guardian”, autori kryesor i studimit dhe kreu i degës së mbikëqyrjes së kancerit të IARC, Dr. Freddie Bray, tha se gjetjet nënvizuan nevojën për monitorim urgjent të rrezikut në ndryshim të kancerit të mushkërive.

“Me rënie në prevalencën e duhanpirjes, përqindja e kancerit të mushkërive të diagnostikuar në mesin e atyre që nuk kanë pirë kurrë duhan tenton të rritet”, tha Bray. “Nëse proporcioni global i adenocarcinomave që i atribuohen ndotjes së ajrit të ambientit do të rritet, varet nga suksesi relativ i strategjive të ardhshme për të kufizuar përdorimin e duhanit dhe ndotjen e ajrit në mbarë botën”, tha ai.

Kanceri i mushkërive mbetet shkaku kryesor i rasteve dhe vdekshmërisë së kancerit në mbarë botën. Në vitin 2022, rreth 2.5 milionë njerëz u diagnostikuan me këtë sëmundje. Por, modelet e kancerit sipas nëntipit kanë ndryshuar në mënyrë dramatike në dekadat e fundit.

Nga katër nëntipet kryesore të kancerit të mushkërive (adenocarcinoma, karcinoma me qeliza skuamoze, karcinoma me qeliza të vogla dhe karcinoma me qeliza të mëdha), adenocarcinoma është bërë nëntipi dominues si tek burrat ashtu edhe tek gratë, zbuloi IARC .

Adenocarcinoma përbënte 45.6% të rasteve globale të kancerit të mushkërive te meshkujt dhe 59.7% të rasteve globale të kancerit të mushkërive tek femrat në vitin 2022. Shifrat përkatëse ishin 39.0% dhe 57.1% në 2020, shkruan “The Guardian”.

Adenocarcinoma përbën deri në 70% të rasteve të kancerit të mushkërive në mesin e atyre që nuk pinë duhan, tha IARC.

Ndërkohë që shkalla e shpeshtësisë së kancerit të mushkërive për meshkujt në përgjithësi është ulur gjatë 40 viteve të fundit, normat e femrave kanë tendencë të vazhdojnë të rriten.

Tendencat aktuale sugjerojnë se ndërsa burrat përbëjnë ende shumicën e rasteve të kancerit të mushkërive (rreth 1.6 milion në 2022), hendeku midis shfaqjes së kancerit të mushkërive tek meshkujt dhe femrat po ngushtohet, me rreth 900,000 gra të diagnostikuara me kancer në mushkëri në 2022.

Ekspertët thanë se shifrat pasqyronin dallimet historike në prevalencën e duhanpirjes, veçanërisht se normat e duhanpirjes arritën kulmin shumë më herët tek meshkujt sesa tek femrat. Gratë tani duhet të jenë po aq vigjilente ndaj shenjave të mundshme të kancerit të mushkërive, njësoj si për atë të gjirit.

“Ndryshimet në prodhimin e cigareve dhe modelet e pirjes së duhanit në dekadat e fundit kanë ndikuar në tendencat e shfaqjes së kancerit të mushkërive sipas nëntipit dhe ka prova të grumbulluara të një lidhjeje shkakësore midis ndotjes së ajrit dhe një rreziku në rritje të adenokarcinomës”, tha IARC.

Nuk dihet se çfarë përqindjeje janë rastet globale të kancerit të mushkërive tek ata që nuk pinë duhan, vetëm se provat sugjerojnë se është në rritje. Shkencëtarët po punojnë për të mësuar më shumë se çfarë tjetër po shkakton kancerin e mushkërive, përveç pirjes së duhanit.

“Ndotja e ajrit mund të konsiderohet një faktor i rëndësishëm që shpjegon pjesërisht mbizotërimin në rritje të adenocarcinomës, që përbën 53% deri në 70% të rasteve të kancerit të mushkërive në mesin e njerëzve që nuk kanë pirë kurrë duhan në mbarë botën”, thuhet në studim.

Dr. Freddie Bray tha se studimi siguroi njohuri të rëndësishme se si kanceri i mushkërive dhe faktorët themelorë të rrezikut po evoluonin, “duke ofruar të dhëna se si mund ta parandalojmë në mënyrë optimale kancerin e mushkërive në mbarë botën”.

 “Ndryshimet në modelet e pirjes së duhanit dhe ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit janë ndër përcaktuesit kryesorë të ndryshimit të profilit të rrezikut të shfaqjes së kancerit të mushkërive sipas nëntipit që shohim sot”, tha ai.

“Tendencat e ndryshme sipas seksit në gjeneratat e fundit ofrojnë njohuri për specialistët e parandalimit të kancerit dhe politikëbërësit që kërkojnë të zhvillojnë dhe zbatojnë strategji të kontrollit të duhanit dhe ndotjes së ajrit, të përshtatura për popullatat me rrezik të lartë”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat