Mos u brengosni nëse fëmijët tuaj, e thonë ndonjë rrenë: ata kanë kujtesë më të mirë dhe aftësi më të mira mendimi.
Një shprehje thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”, por studimet thonë se një gënjeshtër mund të lindë nga një mendje e shëndoshë. Sipas tyre, nëse fëmija juaj gënjen, kjo tregon për një zhvillim të mirë të mendjes së tij.
Hulumtuesit nga Universiteti i Floridës në SHBA, kanë rekrutuar 114 fëmijë, të moshës prej shtatë deri në njëmbëdhjetë vjeç, dhe i kanë vënë në lojë.
Megjithëse kërkohej që të mos mashtrojnë, atyre iu lanë hapur të gjitha mundësitë, të bëjnë një gjë të tillë – derisa gjithçka monitorohej nga kamerat e fshehura.
Çuditërisht, vetëm nje e katërta e fëmijë, kanë shikuar përgjigjet dhe kanë mashtruar.
E, të njejtit janë treguar më mendjemprehtë dhe me kujtesë më të mirë, kur janë vënë në test.
Sipas një studimi tjetër të kryer nga Universiteti i Torontos ku morën pjesë 1200 fëmijë, u arrit në përfundimin se, gënjeshtra është diçka normale tek fëmijët. Udhëzuesi i studimit Kang Lee e shpjegon këtë situatë me faktin se të gënjesh e ta mbash gjatë një gënjeshtër kërkon përpjekje të madhe intelektuale.
Nëse një fëmijë gënjen, kryesisht përpara moshës 5-vjeçare, ai vë në përdorim të gjitha aftësitë e tij, veçanërisht ato të vetëkontrollit. Por shumë prindër i tremben faktit se mos fëmija bëhet gënjeshtar edhe kur të rritet.
Studiuesi ka shpjeguar se nuk ka vend për shqetësime nga prindërit sepse kjo nuk do të thotë se fëmijët kur të rriten do të gënjejnë në mënyrë të vazhdueshme. Gënjeshtrat në fëmijëri nuk janë asgjë tjetër veçse një fazë normale e rritjes së tyre që duhet respektuar pa e bërë alarmante situatën.