Ndihmojnë në kontrollin e kolesterolit, zbuloni përfitimet shëndetësore nga qiqrat

Shëndetësia

Ndihmojnë në kontrollin e kolesterolit, zbuloni përfitimet shëndetësore nga qiqrat

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 22:58
Ilustrim

Qiqrat janë pjesë e grupit të bimëve bishtajore. Ato janë fasule dhe bëjnë pjesë në familjen e legumeve, të njohura për përfitimet e shumta shëndetësore.

The New York Times ka shkruar rreth arsyeve se përse ekspertët, gjithnjë e më shumë, po i rekomandojnë njerëzit që t’i inkuadrojnë qiqrat në dietën e tyre.

Burim i shkëlqyer i proteinave bimore

Një gotë qiqra përmban 14.5 gramë proteina, rreth 20% të sasisë ditore të rekomanduar për një person të rritur. Proteinat janë thelbësore për ndërtimin e muskujve, indeve dhe pjesëve të sistemit imunitar.

Ekspertët po theksojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e përdorimit të burimeve të proteinave bimore në dietë, pasi njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime bimore dhe më pak mish të kuq dhe të përpunuar kanë norma më të ulëta të sëmundjeve kardiovaskulare, obezitetit dhe hipertensionit. Një komitet ekspertësh të ushqimit kanë rekomanduar që në versionin e ardhshëm të Udhëzimeve Ushqimore për Amerikanët, të inkurajohet konsumi i legumeve si qiqrat, duke i vendosur ato në të njëjtën kategori me mishin.

Qiqrat ndihmojnë në kontrollin e kolesterolit

Qiqrat janë të pasura me fibra, një gotë përmban 12.5 gramë fibra, afërsisht gjysmën e sasisë ditore të rekomanduar. Fibrat kanë shumë përfitime shëndetësore, dhe njëra prej tyre është ulja e kolesterolit LDL (yndyrave të pashëndetshme, që njihen me emrin “kolesteroli i keq”), i cili mund të grumbullohet në arterie dhe mund të rrisë rrezikun e infarktit dhe sulmit në tru.

Fibrat e tretshme, të cilat janë shumë të pranishme në qiqra, krijojnë një substancë si xhel në zorrë, që kap lëndën që prodhon mëlçia dhe e parandalon trupin ta ri-absorbëjë atë. Sipas dietologes Julia Zumpano, kjo ndihmon në uljen natyrale të nivelit të kolesterolit në trup.

Një studim i vitit 2012 në The British Journal of Nutrition ka treguar se të moshuarit që konsumuan dy porcione me fasule, qiqra, thjerrëza ose bizele çdo ditë, përjetuan ulje të kolesterolit prej rreth 8% pas dy muajsh, krahasuar me ata që mbajtën një dietë të zakonshme.

Përmbajnë vitamina dhe mineralet të rëndësishme

Qiqrat janë një burim i shkëlqyer i hekurit, një mineral që trupi ka nevojë për ta transportuar oksigjenin. Një gotë qiqra ofron rreth 60% të sasisë ditore të rekomanduar të hekurit për burrat e rritur dhe gratë pas menopauzës, dhe rreth 25% të kësaj sasi për gratë që kanë cikël menstrual.

“Hekuri nga burimet bimore është më vështirë për t’u absorbuar nga trupi se sa ai nga burimet shtazore”, ka thënë Emily Ho, profesoreshë në Universitetin Shtetëror të Oregon.

Ajo sugjeron ta përfshini vitaminën C në dietë për të ndihmuar trupin të absorbojë më shumë hekur. Përveç hekurit, qiqrat janë gjithashtu të pasura me folat, një vitaminë B që është thelbësore për riprodhimin e qelizave. Folati është veçanërisht i rëndësishëm gjatë shtatzënisë, për të mbështetur rritjen e fetusit. Një gotë qiqra ofron 47% të sasisë së rekomanduar të folatit për gratë shtatzëna dhe rreth 70% për të tjerët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat