Analiza e re e gjakut mund të ndihmojë në diagnostikimin e pacientëve me demencë

Shëndetësia

Analiza e re e gjakut mund të ndihmojë në diagnostikimin e pacientëve me demencë

Më: 1 mars 2025 Në ora: 20:26
Ilustrim

Në Mbretërinë e Bashkuar po testohet një analizë e re gjaku për të zbuluar shenjat e hershme të demencës. Shpresohet se kjo analizë mund të bëjë të mundur diagonsitikimin e shpejtë të sëmundjes, në mënyrë që pacientët të mund të përfitojnë nga ilaçet që ngadalësojnë përparimin e saj.

Stephanie Everill po përballet me probleme të kujtesës, fjalët nuk rrjedhin më si dikur.

"Nuk mbaj mend asgjë. Thjesht ka ikur memorja", thotë ajo.

Zonja Everill është një nga pacientët e parë që merr pjesë në studimin shkencor “Sfida e Biomarkerit të Gjakut”, në të cilën përdoret një test gjaku për të diagnostikuar demencën.

"Nuk e di nëse do mund të merrja ndonjë ilaç. Nëse mund të marrë ndonjë ilaç që më ndihmon të ruaj kujtesën, të mbaj trurin në lëvizje dhe të vazhdoj të kujtoj," thotë ajo.

Zonja Everill, 67 vjeç, u diagnostikua me humbje të kujtesës (MCI) rreth një vit më parë. Nëna e saj vuante me sëmundjen e Alzheimerit ndaj ajo donte të vepronte shpejt për të kuptuar gjendjen e saj. Skanimet spitalore tregojnë se gjendja e saj anon drejt Alzheimerit, por ende nuk e ka marrë diangozën përfundimtare nga ana e mjekëve.

Sipas Shoqatës së Alzheimerit vetëm dy për qind e pacientëve kanë qasje tek testet “e arta” si skanerat PET, që skanojnë funksionimin e organeve dhe të indeve në nivel molekular, apo marrjen e një analize në shtyllën kurrizore.

Mostrat e gjakut do të skanohen për një seri proteinash dhe treguesish të tjerë në gjak, të lidhura me demencën.

Studimi drejtohet nga profesoresha Vanessa Raymon, në Universitetin e Oksfordit.

Sipas saj, këto analiza do të ndihmojnë në identifikimin e pacientëve që mund t'i përgjigjen mirë trajtimit.

"Po zhvillohen shumë barna të tjera që ka të ngjarë të licencohen dhe potencialisht të gjenden në sistemin shëndetësor britanik në vitet e ardhshme. Tani ato barna janë të përshtatshme për ata njerëz që kanë nivele mjaft të hershme të dëmtimit të kujtesës. Kështu që duhet të marrim diagnozën e duhur për të parë nëse njerëzit kualifikohen dhe do të përfitojnë nga ato barna", shprehet Vanessa Raymon nga Universiteti i Oksfordit.

Ilaçet e reja, Leqembi dhe Kisunla, mund të ngadalësojnë përkeqësimin e simptomave, por ato vlejnë vetëm në fazat më të hershme të Alzheimerit dhe vërtetimi në kohë se pacientët duhet të marrin këto barna, mund të jetë i vështirë.

Shpresohet se këto teste të reja gjaku mund të diagnostikojnë sëmundjen e Alzheimerit dhe shkaqe të tjera të demencës.

Profesoresha Fiona Carragher, drejtuese e politikave dhe kërkimeve në Shoqatën e Alzheimerit thotë se "sfida e matjes së treguesve në gjak ka të bëjë me revolucionarizimin e rrugës diagnostikuese. Dhe testi i gjakut është një pjesë kyçe e kësaj."

“Demecia është shkaku kryesor i vdekjeve në Britani. Rreth një e treta e njerëzve në vend nuk diangostikohet. Testi i gjakut është kryesor për këtë”, thotë ajo.

Sipas Shoqatës së Alzheimerit demenca paraqet krizën më të madhe shëndetësore dhe të kujdesit social në Mbretërinë e Bashkuar.

Rreth një milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar vuanin nga një formë e demencës në vitin 2024, sipas raportit kësaj shoqate.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat