E njeh atë ndjesinë kur truri yt është si një mikrovalë që nuk ndalet, trupi të tensionohet dhe mezi merr frymë? Po, të gjithë e kemi provuar. Dhe sigurisht që dëshira e parë është të zhdukesh nga realiteti, por s’do që të përfundosh duke pirë një shishe verë vetëm apo duke u zhytur në metoda që të bëjnë më shumë dëm se mirë.
E vërteta është se nuk është vetë stresi ai që të shkatërron, por mënyra si reagon ndaj tij. Nëse ndihesh si një mizë e ngecur në rrjetën e merimangës, e pafuqishme për të dalë, atëherë stresi do të të hajë të gjallë. Por, nëse merr vetëm një minutë për të dalë nga paniku dhe për të marrë frymë siç duhet, mund të ndryshosh gjithë situatën.
Si të qetësohesh për 1 minutë?
Një nga teknikat më efektive për të ulur stresin është frymëmarrja e ndërgjegjshme. E gjitha zgjat rreth një minutë dhe funksionon si një buton “reset” për trurin tënd. Ja çfarë duhet të bësh:
Vendos që do të qetësohesh
Stresi nuk do të të kontrollojë ty, por ti do ta marrësh situatën në dorë.
Merr frymë ngadalë dhe thellë
Ndiq ajrin ndërsa hyn thellë në mushkëri dhe ndien barkun të fryhet. Nëse kupton që trupi yt zgjerohet pak nga të gjitha anët, atëherë po e bën siç duhet. Nëse të merret mendja, mos e tepro - thjesht bëje aq sa ndihesh rehat.
Nxirre frymën ngadalë
Lëre stresin të dalë bashkë me të. Përsërite këtë proces për një minutë dhe do ta ndiesh trupin të qetësohet si me magji.
Kjo metodë funksionon sepse, kur merr frymë thellë dhe qetë, trupi kupton që nuk je në rrezik dhe fillon të ulë tensionin, të ulë rrahjet e zemrës dhe të qetësojë mendjen. Pra, herën tjetër që ndihesh sikur do plasësh nga stresi, harro gjithçka tjetër.