6 shenja shëndetësore që veshët tuaj mund të zbulojnë për trupin

Shëndetësia

6 shenja shëndetësore që veshët tuaj mund të zbulojnë për trupin

Më: 9 mars 2025 Në ora: 19:08
Ilustrim

Më shumë se 5% e popullsisë globale vuan nga humbja e dëgjimit në një nivel që kërkon rehabilitim.

Problemet me dëgjimin nuk janë gjithmonë kaq të rënda, pasi shpesh njerëzit mund të përballen me shqetësime më të lehta.

Gjithsesi, nuk duhet t’i injoroni problemet e veshëve, qoftë të vogla apo të mëdha.

Më poshtë janë disa shenja që veshët tuaj mund t’ju japin kur diçka nuk shkon siç duhet.

1. Zhurma në veshë

Zhurmat në veshë (tinitusi) janë një nga problemet më të zakonshme dhe më pak serioze që mund të prekin shëndetin e veshëve. Zakonisht shkaktohet nga grumbullimi i dyllit, ekspozimi ndaj zhurmave të larta ose probleme fiziologjike në zonën ku kafka lidhet me nofullën.

Në raste të tjera, mund të lidhet me menopauzën, problemet e zemrës ose hipertensionin.

Nëse përjetoni një zhurmë të vazhdueshme si fishkëllimë, gumëzhitje ose trokitje dhe ajo nuk përmirësohet me kalimin e kohës, duhet të vizitoni mjekun.

Sidomos nëse kjo zhurmë përkeqësohet dhe ndjeni marramendje, humbje ekuilibri apo presion brenda veshëve.

2. Kruarje e vazhdueshme në veshë

Nëse ndjeni një kruarje të pandalshme në veshë, mund të jetë një shenjë e infeksionit nga  ekzema, e cila shkakton acarim të lëkurës dhe inflamacion.

Në këto raste, veshët mund të bëhen të thatë, me lëkurë të plasaritur dhe të shoqërohen me një erë të pakëndshme.

Në raste më të rënda, kruarja mund të shoqërohet me dhimbje të forta.

Përpara se të tundoheni t’i kruani veshët vazhdimisht, më mirë vizitoni një mjek për të marrë mjekimin e duhur. Zakonisht, ky është një problem i lehtë për t’u trajtuar.

3. Shenja të vogla në lëkurë pranë veshëve

Disa njerëz lindin me shenja të vogla të lëkurës pranë veshëve, të cilat mund të duken si një karakteristikë e zakonshme.

Megjithatë, këto mund të jenë një tregues i funksionimit të veshkave, veçanërisht tek foshnjat. Kjo ndodh sepse veshkat dhe veshët zhvillohen njëkohësisht gjatë shtatzënisë.

Nëse mjekët vërejnë këto shenja tek një foshnjë, ata mund të rekomandojnë disa teste për të kontrolluar shëndetin e veshkave. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka një problem serioz.

Duhet të bëni një kontroll nëse këto shenja fillojnë të shkaktojnë dhimbje ose të rrjedhin gjak.

4. Vijëzime në llapën e veshit

Prania e rrudhave të vogla në llapën e veshit mund të tregojë një rrezik të shtuar për sëmundjet e arterieve koronare ose mund të jetë një shenjë e një problemi të zemrës.

Megjithatë, jo të gjithë ata që kanë këto rrudha vuajnë nga kjo sëmundje. Nëse keni edhe simptoma të tjera si dhimbje në kraharor, vështirësi në frymëmarrje ose ndiheni të dobët, është mirë të konsultoheni me një mjek. Identifikimi i kësaj shenje herët mund të ndihmojë në parandalimin e një ataku në zemër.

5. Veshë të pozicionuar më poshtë se normalja

Ky nuk është një problem shëndetësor që shfaqet më vonë, por një gjendje që mund të dallohet që në fëmijëri. Shpesh lidhet me sindromën Down dhe sindromën Turner.

Në rastin e sindromës Down, fëmijët zakonisht kanë dallime në zhvillim, duke përfshirë edhe formën dhe pozicionin e veshëve. Ndërsa tek sindroma Turner, ndikimi është në formën e kokës dhe qafës, si dhe në rritjen dhe pubertetin.

Më rrallë, sindromat Shprintzen-Goldberg dhe Jacobsen mund të shkaktojnë gjithashtu veshë të ulët.

6. Dyll veshësh me teksturë të lagësht dhe ngjitëse

Dylli i veshëve është një mekanizëm natyror mbrojtës ndaj baktereve dhe grimcave. Zakonisht, ai pastrohet vetë pa pasur nevojë për ndërhyrje. Megjithatë, nëse dylli i veshëve është i lagësht dhe ngjitës, kjo mund të tregojë një rrezik të shtuar për kancerin e gjirit.

Infeksionet e veshëve janë të zakonshme dhe mund të shfaqen në forma të ndryshme. Vizitat mjekësore mund të jenë të kushtueshme, por nëse një simptomë zgjat për një kohë të gjatë dhe nuk përmirësohet, konsultimi me një mjek është gjithmonë alternativa më e mirë. Shëndeti i veshëve është një dritare drejt shëndetit të përgjithshëm të trupit, prandaj mos i injoroni shenjat që ju dërgon trupi juaj!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat