Partia Demokratike ka reaguar pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paralajmëroi se do të ngrinte padi për shpifje në gjykatë për ish-deputeten e PD-së Grida Duma, pas akuzave të bëra nga kjo e fundit në media.
Në një deklaratë, PD thotë se Rama dhe Veliaj (të cilin e quajnë buratinin kryesor) po përpiqen që të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën.
Teksa thekson se “qëllimi i vetëm i tyre është që të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre”, PD shton se nuk i frikohet një procesi gjyqësor që “tenton të imponojë heshtjen tonë, pasi jemi këtu vetëm për një qëllim që është interesi publik i shqiptarëve”.
Postimi i plotë
Është e qartë: Rama dhe buratini i tij kryesor janë të frikësuar
Ata po përpiqen të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën.
Qëllimi i vetëm i tyre është të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre, pa asnjë ndërhyrje.
Ne nuk kemi frikë nga asnjë proces gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen tonë, pasi jemi këtu vetëm për një qëllim që është interesi publik i shqiptarëve.
As Rama, as buratini i tij, askush nuk do të na e mbyllë gojën.