Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë një takimi të zhvilluar ditën e sotme me disa banorë në Kavajë, ka deklaruar se askush nuk do ti ndalojë, qoftë edhe me gjoba. Kryemadhi theksoi se policia nuk paguhet nga taksat për të gjurmuar të rinjtë e LSI-së.
'Nuk do të na ndalojnë dot. I them Ramës dhe kujtdo tjetër, askush nuk ikën nga kjo botë pa dhënë llogari. Mua nuk më ndalin as plumbat dhe sikur Rama t'i përdorë. Policia nuk paguhet nga taksat për të gjurmuar të rinjtë e LSI-së. Edhe Enver Hoxha të ngrihet nga varri unë nuk tërhiqem, LSI forcë e parë, forcë e paparë.' ka deklaruar Kryemadhi.
Kujtojmë se ish-deputeti i LSI Endrit Braimllari u gjobit ditën e sotme nga policia me 5 mln lekë që pasi ka zhvilluar një mbledhje elektorale në shkelje të masave anti-COVID në Maliq.
Braimllari tha për Report TV se gjoba është politike, e urdhëruar nga Rama për të ndalur rritjen e LSI dhe për të frikësuar njerëzit. Sipas tij në takim nuk janë shkelur masat anti-COVID, ndërsa shtoi se është respektuar distanca.
Njëkohësisht me Braimllarin është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e aktivitetit të LSI. Aktiviteti për të cilin është vënë gjobë është zhvilluar më datë 7 shkurt ndërsa gjoba është vendosur ditën e sotme, kjo për shkak edhe të shtrëngimit të masave kufizuese nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëvë të cilët kanë vendosur që duke nisur nga sot, kufizimi i lëvizjes fillon në orën 20:00 dhe jo në 22:00 siç ka qenë më parë.
Po sot edhe 2 administratorë lokalesh në Divjakë janë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pasi lejuan zhvillimin e aktiviteteve politike të PD në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19.
Kujtojmë se edhe dje është krijuar një situatë e pakëndshme nga kryetarja e LSI-së e cila është shfaqur pa maskë në Elbasan, teksa po zhvillonte takimin me një grup qytetarësh, në një ambient të mbyllur, ndërkohë që efektivët e policisë kanë shkuar për ta gjobitur.
Edhe kryeministri Edi Rama, ditën e djeshme tha se të gjithë duhet t’i respektojnë këto masa, përfshirë këtu edhe partitë politike, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim.