Ndërtimi ishte i vetmi sektor që i cili jo vetëm nuk u prek nga kriza e pandemisë së koronavirusit, por njohu rritje të fortë.
Për ekspertin Pano Soko një shqetësim mbetet burimi i financimit të këtij sektori.
“Dalim te paraja e pistë e cila duket sikur ka gjetur këtu shtratin prej puple.”
Sipas tij qarkullimi i parasë së pistë është një kambanë alarmi që bie prej kohësh.
“Sektori i ndërtimit ka funksionuar në mënyrë të mrekullueshme. Nuk pati asnjë mungesë financimi.”
Referuar të dhënave të INSTAT kryeqyteti ka miratuar më shumë se 1 milionë metër katrorë sipërfaqe për ndërtesa të reja, por ndërkohë që ato shtohen çmimi vijon të rritet dhe të jetë i papërballueshëm për qytetarët.
“Tirana po kthehet e pa përballueshme për njerëzit e ndershëm dhe për paratë e punës se këtu o futen paratë e pista.”
Soko thekson se sektori i ndërtimit është futur aktualisht në një flluskë e cila rrezikon të plasë duke u shoqëruar me tre rreziqe.
“Deformohet tregu, do të bëjë që çmimet e shtëpive të bien në mënyrë dramatike dhe do të ndikojë te bankat, ku janë marrë kredi. Kredia është marrë e vlerësuar shumë më lartë dhe banka del zbuluar.”
Shqipëria konsiderohet vend problematik për sa i përket pastrimit të parave sidomos në sektorin e ndërtimit.
Raporti i Moneyval për vitin 2019 e riktheu Shqipërinë në listën gri të vendeve me nivel të lartë të riskut.
Mungesa e mekanizmave parandalues, efektivitetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional renditen ndër arsyet kryesore të përkeqësimit të situatës.