Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Andi Koraqi u shpreh në Euronews Albania se ende nuk ka një konfirmim nga laboratorët jashtë vendit për prezencën e mutacioneve të reja të COVID-19 në Shqipëri.
Në fjalën e tij, ai theksoi se pritet konfirmimi i laboratorëve të specializuar të Anglisë dhe shtoi se duke parë se në çdo vend të rajonit ka mutacione, nuk përjashtohet mundësia e ekzistencës së tyre në Shqipëri.
Sa i përket numrit të lartë të fataliteteve të ditëve të fundit, ai tha se numri i lartë i të infektuarve normalisht që sjell dhe numër të lartë të vdekjeve.
Zoti Koraqi nuk dha një datë se kur do të mblidhet sërish Komitetit i Eksperteve për të komunikuar masat e reja.
“Mesa di unë do të bëhet një mbledhje, por nuk e di ekzaktësisht”, u shpreh ai.
Ai tha se masat anti-COVID duhet të respektohen nga qytetarët dhe njëkohësisht duhet të ketë kontrolle nga institucionet.
“Janë qytetarët që duhet të zbatojnë masat për parandalimin e virusit. Në radhë të dytë janë institucionet kontrolluese që duhet të shikojnë nëse zbatohen rregullat nëpër lokale. Nuk është detyrë e Komitetit Teknik dhe specialistëve që të shohin respektimin e masave”, tha ai.
“Komiteti është institucion që këshillon, pastaj vendimet i merr tjetër kush”, përfundoi ai.