Prokuroria e posaçme SPAK, ka tërhequr nga burgu 313 në Tiranë dhe ai i Peqinit, listën e personave që kanë zhvilluar takim, me Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin dhe disa nga të arrestuarit e tjerë, për çështjen e vrasjes së Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliun.
Ky informacion u bë me dije nga vetë prokurorët e çështjes, të cilët gjatë seancës periodike dy mujore për njohjen e palëve me informacion, treguan detaje mbi veprimet hetimore që janë duke kryer.
Prokurorët, njohën palët e përfshira në proces me këtë informacion, duke i pohuar se janë duke kryer veprime hetimore dhe po verifikojnë personat që kanë pasur hyrje-dalje në burgjet ku ka qëndruar Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri.
Nga ana tjetër avokatët mbrojtës të Shullazit, Indrit Taullaut, Indrit Rusi dhe Viktor Ymerit, kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në një masë më të butë, duke synuar daljen nga burgu.
Të gjithë këta persona u arrestuan në 8 dhjetor 2020, gjatë operacionit “Asgjë nuk harrohet”, ndërsa në kërkim vijon të jetë Lulzim Berisha.
Si pjesë e këtij hetimi në Dubai u arrestua dhe Plaurent Dervishaj, i cili mësohet se është liruar më pas nga autoritet vendase.
Shpallja në kërkim e Dervishaj është bërë pas rrëfimit të Luftar Reçit, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut, vrasje në të cilën bashkëpunëtori i drejtësisë, ka treguar se ka marrë vetë pjesë, së bashku me Indrit Taullaun dhe Plaurent Dervishaj.
Më 8 dhjetor 2020, SPAK deklaroi zbardhjen e dy ngjarjeve të bujshme të vitit 2005 ku me një diferencë prej 24 orësh u vranë, Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe Klodjan Saliu. Për këto dy vrasje sipas SPAK, të akuzuarit kryesor janë Emiljano Shullazi, Lulzim Berisha dhe anëtarët e bandave të tyre.
Rihapja e hetimeve ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit Luftar Reçi, ndërsa SPAK po i trajton të dy ngjarjet në një dosje të vetme.