Granit Deromemaj, efektivi i antidrogës në policinë e Vlorës, është përjashtuar nga radhët e policisë me firmë të Drejtori të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Vendimi ka lidhje me vrasjen e biznesmenit Bledar Birçaj ne 11 Maj, në Vlorë, pasi në makinë me të gjatë atentatit ishte dhe Deromemaj i cili i shpëtoi plumbave.
Dhe pse kishte armën e shërbimit me vete, ai nuk ka ndërhyrë për neutralizimin e situatës.
Shoqërimi i efektivit me Bledar Birçaj dhe Edison Zenelin, dhe ky me precedent penal, ul reputacionin e policisë.
Për më tepër, viktima ishte i pajisur me pistoletë pa leje në makinë dhe Granit Deromemaj, e ka fshehur këtë fakt. Janë këto fakte qe kanë çuar në përjashtimin e tij nga policia. Ndërkohë në rrëfimin e tij para grupit të hetuesve efektivi i antidrogës ka thënë se me viktimën njihej dhe se ai e kishte përdorur për qëllimet e veta pa dijeni.
Po ashtu ka deklaruar se nuk kishte informacion se Birçaj ishte me arme pa leje.
“Ishim të papërgatitur, na bënë pritë. Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit. Pashë dy veta me maska, por nuk i njoha dot. Ishin të kamufluar. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit. Jam i tronditur, mendova se më kapën edhe mua plumbat," është shprehur Deromemaj.
Deri tani për këtë ngjarje nuk ka autorë të arrestuar, ndërsa ekzekutimi u krye nga dy persona, të cilët dyshohet të jenë ndihmuar edhe nga të tjerë.
40-vjeçari, Bledar Birçaj u vra në një atentat të mirë-organizuar në automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”.
Në drejtim të automjetit është qëlluar mbi 16 herë ndërkohë që në trupin e viktimës mendohet se janë konstatuar deri në 4 plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Birçaj qe prej 13 Shkurtit 2021, ishte kthyer nga Spanja, dhe një nga pistat ku po hetohet janë konfliktet që mund të ketë pasur atje.