Lagunat e Lezhës janë pushtuar nga gaforrja blu.
Kjo specie grabitqare është shfaqur në masë gjatë 4 viteve të fundit dhe po dëmton rëndë gjallesat e tjera ujore.
Alarmi është ngritur nga eksperti i Mjedisit Jak Gjini, sipas të cilit popullata e peshqve është ulur ndërsa gaforrja vendase është zhdukur totalisht.
"Fatkeqësisht deri tani dëmi që po shkakton dhe çekuilibri ekologjik në raport me popullatat e tjera është i madh. Gaforrja e sapo ardhur ka neutralizuar ose larguar gaforren vendase, ka ulur shumë popullatat e peshqve," tha Gjini.
Kjo gaforre po i jep një goditje të madhe sektorit të peshkimit.
"Bën një dëm të jashtëzakonshëm te peshkatarët duke i shkatërruar dhe rrjetat e tyre të peshkimit që janë shumë të kushtueshme," tha Gjini.
Në disa vende të botës gaforrja blu është ushqim i kërkuar, ndërsa në Shqipëri nuk konsumohet.
Në këto kushte mungon tregu i saj ndërkohë që shfaqja e saj në lagunat e Lezhës sjell dëm ekonomik për peshkatarët e zonës.