Kryeministri Edi Rama ka dalë me një mesazh drejtuar të gjithë shqiptarëve, duke paralajmëruar se një tjetër krizë po vjen drejt Shqipërisë.
Sipas kryeministrit Rama bëhet fjalë për krizën energjetike që ka filluar të japë shenjat e saj shqetësuese në gjithë botën.
“Nuk kërcënon jetë njerëzish, por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative, që mund të ketë efekte tronditëse. Kriza e energjetikës sapo ka nisur të japë shenjat e saj në tregjet botërore. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë, jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit po afron bashkë me dimrin dhe rritjen e natyrshme të nevojës për ngrohje.
Kjo krizë e re na vendos përpara një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti e pandemia. Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si dhe tregu i fortë i çmimit të naftës, paralajmërojnë një dimër të vështirë, që bota ka përpara.
Bota po përballet me çmime marramendëse. Çmimi i gazit është rritur me rreth 250%, ndërsa i gazit me 80%. Sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë deri në 100 dollarë për fuçi, deri në fund të vitit”, tha Rama mes të tjerash.