Gazetari Genc Burimi shprehet se SPAK duhet të thërrasë Lulzim Bashën të dëshmojë për provat që ai pretendon se ka kundër Sali Berishës.
Burimi thotë se pas veprimeve të Bashës fshihet Amerika dhe se kreu i opozitës ndodhet nën presionin e SHBA-ve.
Ndër të tjera Burimi komenton Kuvendin Kombëtar të paralajmëruar nga Berisha më datë 11 dhjetor, kuvend të cilin Basha ka njoftuar se do të mblidhet më 18 dhjetor.
Genc Burimi: Është një luftë brenda partisë, për fronin e kryetarit të partisë. Është një luftë më se normale. Ajo që më habit në këtë rast është se Lulzim Basha fshihet pas argumenteve amerikane, që për mua nuk është argument. Nuk është punë e amerikanëve, është çështje e demokracisë. Në çdo demokraci, çdo person që akuzohet ka të drejtë të kërkojë prova për akuzat që i bëhen. Për mua sot SPAK-u duhet të thërrasë Lulzim Bashën, i cili pretendon se njeh provat kundër Berishës, prova që i ka dhënë një zyrtar i lartë amerikan.