11 bebe në orët e para të vitit në Tiranë, Manastirliu në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, shpërndan bonuset e foshnjave

Shqipëria

11 bebe në orët e para të vitit në Tiranë, Manastirliu në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, shpërndan bonuset e foshnjave

Më: 1 janar 2023 Në ora: 13:27
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu

1 Janar 2023- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka vizituar mëngjesin e sotëm të porsalindurit në dy maternitetet e Tiranës, duke iu dorëzuar bonusin e bebes dhe duke falenderuar stafet mjekësore që ishin në detyrë në natën e ndërrimit të viteve dhe në këtë ditë të parë të Vitit të Ri.

“Jam sot këtu për të dhënë me kënaqësi bonusin e bebes për fëmijët e parë të vitit 2023, ashtu siç kemi bërë gjatë 2022 nëpërmjet programit të qeverisë sonë nga i cili kanë përfituar rreth 42 mijë të porsalindur. Dhe që prej fillimit të këtij programi në vitin 2019 janë rreth 159 mijë të porsalindur qëkanë përfituar nga bonusi i bebes. Ne do të vazhdojmë me programet tona për mbështetjen e fëmijëve”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se investimet për transformimin e sistemit shëndetësor do të vijojnë gjatë 2023.

“Jemi duke përfunduar fazën e parë të investimit në Maternitetin Mbretëresha Geraldinë dhe do të vijojmë menjëherë në fazën e dytë me godinën qendrore, sikurse do të vijojmë investimet në të gjithë vendin. Po jo vetëm në infrastrukturë por edhe në teknologji e inovacion do të investojmë përgjatë 2023”, tha Manastirliu.

Në ditën e parë të vitit 2023, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka vlerësuar dhe falenderuar stafet mjekësore që janë në shërbim të qytetarëve në këto ditë festive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat