Protesta e opozitës në Tiranë është mbyllur pas rreth 3 orësh para Kuvendit me mesazhe kundër kryeministrit Edi Rama të cilit i kërkojnë dorëheqjen duke e akuzuar si të përfshirë në skandalin McGonigal.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se revolucioni demokratik nuk bëhet për Partinë Demokratike, por është lëvizje e qytetarëve shqiptarë.
Në protest mbajtën fjalin edhe 11 deputetët e PD që janë përjashtuar nga seanca plenare; Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati. I pranishëm ishte e kryetari i Partisë së Lirisë ilir Meta. Tubimi ishte paqësor dhe nuk pati incidente.
Njëkohësosht me protestën me debate u shoqërua edhe seanca plenare e Kuvendit. Në rendin e ditës të seancës së sotme ishte parashikuar të shqyrtohej kërkesa për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi, ndërsa kjo e fundit mungon në seancën e sotme.
Protesta para Kuvendit/ Protestuesit hedhin tymuese në rrugë
Protestuesit kanë hedhur tymuese dhe flakadanë në ambientet jashtë Kuvendit, teksa brenda po zhvillohet seanca plenare.
Në rrethimin e godinës së Kuvendit ka forca të shumta policie, por deri më tani nuk ka pasur përplasje me protestuesit.
Në fund të fjalimit të tij, ish-kryeministri Berisha i bëri thirrje policëve që të mos provokojnë protestuesit se do të kenë probleme serioze.
“Kuvendi, bunker i fjalës së ndaluar”/ Berisha: Kjo protestë është revolucion i çdo shqiptari
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur ‘bunker të fjalës së ndaluar’ parlamentin ku po zhvillohet sot seanca plenare, pas përjashtimit të 12 deputetëve të opozitës.
“Ju nuk protestoni për disa deputetë të PD e as për partinë, por ju protestoni për çdo shqiptar i cili ka në vetëdijen e tij idealet e lirisë. Ju jeni këtu sot për çdo shqiptar i cili beson se parlamenti duhet të jetë tempulli i demokracisë jo bunkeri i fjalës së ndaluar.
Për të gjithë ata shqiptarë dëgjojnë për një mori të pafundme aferash dhe dua të dinë të vërtetën e vjedhjeve. Për të gjithë ata shqiptarë që shkëpusin nga vetja fëmijët dhe i nisin në dhera të huaj. Për ata shqiptar që duan të besojnë se Shqipërinë duan ta bëjnë shqiptarët. Pse ky parlament nga tempull i fjalës është shndërruar në bunker të fjalës së ndaluar.
Çdo hajdut që të futet në shtëpi, nëse e kap në flagrancë tenton edhe të vrasë, këta nuk futen në shtëpi, por në xhepat tona, taksat tona, në të gjitha pasuritë publike tuajt dhe shqiptarëve. Këta vjedhin natën, ditën, çdo javë çdo muaj e çdo vit. Njësoj si hajdutët që futen në shtëpi me urrejtje për atë që e vjedhin. Ata i urrejnë qytetarët, ata vijnë te ju njëherë në 4 vite me thasë me euro që ju kanë vjedhur ju ose i kanë siguruar nga bandat e tyre. Ky është revolucion i çdo shqiptari që nuk mund të pajtohet që rrugët në Shqipëri të ndërtohen 10 herë më shtrenjtë”- tha ndër të tjera Berisha.
Topalli flet para protestuesve
Ish kryeparlamentarja, Jozefina Topalli teksa mbajti fjalën e saj para protestuesve të mbledhur para Kuvendit, tha se nuk kishte ndodhur kurrë që në 3 dekada të përjashtohet gjysma e deputetëve të një grupi parlamentar.
Ajo vuri në dukje edhe mungesën e Nikollës në krye të seancës dhe shtoi se gjatë kohës kur PD ka qenë në pushtet, nuk ishte rrëzuar kurrë një kërkesë e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor.
“Në 3 dekada, nuk ka ndodhur kurrë që të përjashtojnë gjysmën e grupit parlamentar në mënyrë që ai të ndihet i sigurtë kur të shkojë në parlament. Nuk ka ndodhur kurrë që të mos i përgjigjet kërkesës së opozitës për interpelencë. Nuk kan ndodhur krurrë të mos ngrihet një komision hetimor kur e ka kërkuar opozita.
Byroja ka pezulluar një ligj për komisionin hetimor. Jam e pafjalë! Gjatë këtyre vendimeve, Shqipëria ka vuajtur dhe është boshatisur si kurrë më parë. Pushteti i parasë bleu kryetarin e opozitës, blen këdo që mos të flasë. Vjen një moment kur njeriu thotë prit pak, ka momente në jetë kur njeriu ndihet i pafuqishëm por kurrë momente që njeriu të ndalojë së protestuari. Ky në 9 vite ka përzënë nga Shqipëria mbi 900 mijë shqiptarë, janë njerëzit tanë, janë fëmijët tonë që kanë marrë rrugët e botës. Kryetaren e Parlamentit e paskan fshehur sot. Ky që shikoni aty (Taulant Balla) ishte i pari që dilte me bilbil, për 3 muaj rresht, merrnin altopolantë dhe asnjeri nuk i ka nxjerrë nga parlamenti ”-tha Topalli mes të tjerash.
Kaos në Kuvend, Balla: Skenar për çdo seancë, kjo ndodh kur Berisha akuzohet për 21 Janarin
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, teksa po fliste në kuvend mes zhurmës së shkaktuar nga deputetët opozitarë që i frynin bilbilave, tha se kjo situatë do të vijojë në Kuvend derisa familjarët viktimave të 21 janarit kallëzojnë në SPAK për vrasje Sali Berishën.
“Neni 89 i rregullores flet qartë për situatën në të cilën jemi. Kemi miratuar në konferencë të kryetarëve bashkimin e të tre kërkesave. Mirëpres nga kryetari i grupit parlamentar Alibeaj, Mediu edhe nga Doda propozimet për kohën e zhvillimit të mocionit me debat. Propozimi ynë është 12 orë, nga 5 minuta për deputetët janë të mjaftueshme për zhvillimin e një mocioni me debat.
Ne e dimë skenari është një skenar që ndodh çdo seancë. Ndërkohë që sot familjarët e personave të vrarë më 21 janar janë në SPAK për depozitimin e një kallëzimi penal, ne do të jemi në këtë situatë në Kuvend. Ndërkohë që familjet 21 janarit akuzojnë Sali Berishën për vrasje në bashkëpunim kjo situatë do të ndodhë.
Merrni dhe lexoni një nen të rregullores se cili është shkelur. Po mbroni një deputet që vinte në seancë i pijshëm me një bilbil në gojë. Jemi dënuar edhe ne në at kohë. Kryetare kalojmë në pikën e parë të rendit të ditës”, tha Balla.
“Faktet dolën, dorëheqja detyrim!”, protestuesit mesazhe kundër Ramës para Kuvendit
Ashtu siç ishte paralajmëruar, protesta e opozitës para Kuvendit nisi rreth orës 10:00.
Me parulla në duar dhe thirrje kundër qeverisë, qytetarët janë pozicionuar para Kuvendit.
“Rama ik, Rama ik!”, janë disa nga thirrjet e protestuesve në tubim, ndërsa në një prej pankartave shkruhet; “Faktet dolën, dorëheqja detyrim!”
I pari që mori fjalën nga protesta ishte deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama mes turmës së protestuesve.
“Edi Rama, ti nuk je më përfaqësues i yni”, Noka i bashkohet protestuesve: S’mund të ndalosh një popull të lirë!
Deputeti Flamur Noka, teksa i është bashkuar protestës u shpreh se shqiptarët nuk mund të pranojnë një kryeministër të korruptuar. Gjithashtu theksoi se çdo përpjekje e Ramës dhe kukullave të tij s’mund të ndalë revolucionin.
“Ne përfaqësuesit tuaj u ndaluam për të disatën herë për t’ju përfaqësuar. Edi Rama sot dhe gjithë këto ditë ka treguar se është në panik të tmerrshme. Ai i di mëkatet e tij ndaj paniku nuk e shpëton dot. Ai mendon se duke e kthyer paramentnin në një burg ku ruhet me roje për të mos lejuar deputetët mendon se do t’ja hedhë.
I ka bërë llogaritë gabim. Edi Rama është i pashpresës, qytetarët nuk mund ta pranojnë për kryeministër, MCgonigal, e ka vendin në burg edhe Rama. Shqiptarët e lirë nuk mund të pranojnë një kryeministër që nuk ka punuar për këtë vend, por për të zhdukur opozitën.
Ai është kapur në korrupsion dhe shqiptarët s’mund të pranojnë një kryeministër të korruptuar. Ti duhet të largohesh ose do të të largojmë. Edi Rama është sot i pashpresë. Ai është futur në strofullën e tij në Surrel dhe qëkur ka dalë në dritë skandali McGonigal nuk e ka nxjerrë kokën nga bunker. Vrulli i njerëzve të lirë do të të fshijë nga ajo karrige dhe as ai bunkeri yt do të të mbrojë dot. T’i jo vetëm do të ikësh, por do t’i japësh shqiptarëve llogari për gjëmën që po bën”, tha Noka.
Deputetët e përjashtuar nga Kuvendi ankimojnë vendimin, Këlliçi: Garda të na lejojë të futemi, Ramën e ka tërbuar ‘McGonigal’, por…
Deputetët e Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga seanca plenare, kanë kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi pranë Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë, duke thënë se është marrë në shkelje të kushtetutës.
Në një deklaratë për mediat para derës së Parlamentit, Belind Këlliçi u shpreh se kanë kërkuar që të futen në seancë deri në mbledhje të Byrosë dhe në daljen e vendimit.
“Kemi ankimuar vendimin e Komisionit të Etikës, dhe rregullorja e Kuvendit thotë që ky vendim sa kohë ankimohet, pezullohet deri në marrjen e vendimit nga Byroja. Në dijeni në tonë Byroja nuk është mbledhur.
Kemi njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe Gardën, që të futemi dhe të marrim pjesë në seancë. Nëse mblidhet Byroja të njoftohemi dhe ta diskutojmë. Është hera e dytë që unë pezullohem nga seanca pa folur. Kjo është çmenduri e Ramës dhe Nikollës.
E kuptoj që McGonigal e ka tërbuar Ramën. U bë mbi një muaj kjo sjellje absurde. Çfarë mendon ky se do fitojë? Dua ta pres vendimin në seancë, çfarë problemi ka? Është kaq e thjeshtë! Byroja ka qëllim të na pengojë fjalën e lirë”, tha ai.
U përjashtuan nga Kuvendi, deputetët e PD kërkesë për ankimim të vendimit
Deputetët e Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga seanca plenare, kanë kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi pranë Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë, duke thënë se është marrë në shkelje të kushtetutës.
Në këtë kërkesë për ankimim, të firmosur nga Flamur Noka, Edi Paloka dhe Belind Këlliçi, kërkohet shfuqizimi i menjëhershëm i vendimit, ndërsa thuhet se deputetët e PD të cilët janë përjashtuar, nuk kanë thyer asnjë rregullore dhe se duhet të futen në Kuvend deri sa të mblidhet Konferenca për ta shqyrtuar.
Kërkesa po ashtu i është dërguar edhe Gardës.
Tensione të Kuvendi/ “O çuna hapuni mor!”, deputetët e PD debatojnë me Gardën: S’është legale kjo që po bëni, po ju përdorin!
Tensione ende pa nisur seanca plenare.
Në hyrje të Kuvendit, Garda ka penguar disa deputetë të PD-së që janë të përjashtuar për 10 ditë nga seancat plenare.
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shihet teksa debatojnë me punonjës të gardës.
“O çuna hapeni mo rrugën”, dëgjohet teksa thotë Tomor Alizoti, ndërsa demokratët pohojnë se punonjësit e Gardës po përdoren dhe po shkelin të drejtat ligjore të deputetëve.