Është mbyllur brenda pak minutash protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha në ambientet e jashtme të parlamentit.
Berisha në fjalën e mbajtur para protestuesve pas heqjes së imunitetit nga parlamenti tha se vendimi është antikushtetues dhe i paligjshëm.
“Ju keni lënë çdo gjë dhe jeni grumbulluar sot këtu, në një moment në të cilin bandat dhe krimi i përfaqësuar nga Edi Rama, Taulant Balla, deputetë dhe qeveritarë delinkuentë, menduan se do shpëtojnë duke hequr imunitetin e Sali Berishës dhe autorizuar bandat e tyre për arrestimin e tij.
Kjo është një përpjekje që dëshmon tmerrin që kanë ata sot nga ju, tmerrin që kanë nga opozita e vërtetë, tmerrin që përjetojnë sepse dështuan në sipërmarrjen e tyre më kriminale në historinë e demokracisë, sipërmarrjen e krijimit të opozitës fasadë, sipërmarrjen e realizimit të ëndrrës së Edi Ramës për një narkoshtet pa opozitë, për një paqe në qeverisjen e tij, të njëjtë me atë që kishin etërit e tij barbarë.
Por siç tregoi historia e këtyre dy viteve, opozita shqiptare rezistoi, u ngrit mbi të gjitha pushtetet e krimit në Shqipëri, u ngrit mbi të gjithë agresionin e mafies ndërkombëtare që do një Shqipëri moniste, protektorat të krimit, drogës dhe narkoshtetit.
U ngrit jashtë çdo parashikimi dhe i kalli tmerrin regjimit të krimit në Tiranë.
Ndaj dhe ata, në një përpjekje fund e krye antiligjore, në një përpjekje fund e krye antikushtetuese, në një përpjekje të bazuar në shpifjen, trillimin, manipulimin e mijëra e mijëra dokumenteve zyrtare, mendoi se duke vepruar në këtë mënyrë si sot, do mund të bjerë në qetësi.
Unë kam bindjen se kjo ditë do jetë një ditë frymëzimi për të gjithë ju, për të gjithë shqiptarët, një ditë që do u rikujtojë atyre se misioni i tyre kryesor është o sot o kurrë, të përmbysim narkodiktaturën, regjimin e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Ju jeni dëshmitarë se prej muajsh ne kemi denoncuar me fakte, me dokumente dhunimin e tmerrshëm të zgjedhjeve”, deklaroi Berisha mes të tjerash në fjalën e tij.
Pas mbylljes së seancës Berisha i shoqëruar nga mbështetësit u nis për të shkuar në ambientete e selisë blu.
Kujtojmë se me 75 vota pro dhe brenda 8 minutave Kuvendi ka votuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit për Sali Berishën.
Ish-kryeministri refuzoi të merrte fjalën gjatë nisjes së seancës plenare, ku iu kërkua të fliste mbi kërkesën e SPAK. Berisha kërkoi nga kryetarja e Kuvendit që të hiqej Garda e Republikës nga foltorja në mënyrë që ai të merrte fjalën.
Me vendimin e parlamentit tani i hapet rruga gjykatës për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit.
Duke qenë se opozita bllokoi foltoren e Kuvendit dhe ndezi tymuese në sallë, punimet e Kuvendit u mbyllën memjëherë pas kalimit në votim të pikave në rendin e ditës.