Universiteti i Elbasanit në proces zgjedhjesh për Rektor, kandidatët përjashtohen ende pa nisur gara

Shqipëria

Universiteti i Elbasanit në proces zgjedhjesh për Rektor, kandidatët përjashtohen ende pa nisur gara

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Universiteti i Elbasanit, ka hyrë në procesin zgjedhor për Rektorin e ri të këtij institucioni. Por ende pa nisur gara me kandidatët e mundshëm, ka nisur “gjuetia e shtrigave” për ata që pretendojnë të jenë pjesë e saj.

Po çfarë ka ndodhur realisht?

Ajo ç’ka po ndodh në këtë Universitet, që ka shqetësuar opinionin akademik dhe intelektual të qytetit, lidhet me pengesat për të shmangur nga gara për postin e Rektorit të këtij Universiteti, Profesoreshën Majlinda Perriu Peza, duke mos e miratuar si Kandidate me një vendim të paligjshëm të KIZ(Komisioni Institucional Zgjedhor) të këtij universiteti.

Shkelja e parë: KIZ, ka tejkaluar kompetencat duke dhënë vendime në shkelje të Ligjit të Arsimit të Lartë, Rregullores Zgjedhore të Universitetit(Kreu II, neni 6/g) ku citohet se “KIZ regjistron kandidatët për rektor…”, dhe jo gjykon kandidatët, duke marrë rolin e gjykatës duke interpretuar edhe ligjet për institucionet e tjera jo universitare.

Kështu, me vendim Nr. 12 të datës 26.05.2024 KIZ , ka vendosur të mosmiratojë regjistrimin e kandidaturës për të marrë pjesë në zgjedhjet për postin e Rektorit, të profesoreshës me një karrierë 25 vjeçare në fushën e arsimit Majlinda Perriu, pavarësisht përmbushjes nga ana e saj të të gjithë dokumentacionit të përcaktuar në Ligjin e Arsimit të Lartë, Rregulloren e zgjedhjeve dhe Statutin e Universitetit.

Shkelja flagrante: Në këtë vendim të KIZ thuhet se; aktualisht kandidatja ushtron detyrën e Prefektit të Qarkut, ndërkohë që është lehtësisht e vërtetueshme se me Vendim të Këshillit të Ministrave, znj. Majlinda Perriu është liruar nga ky pozicion më dt. 24.05.2024, VKM Nr. 314, pra 2 ditë përpara se të merrej vendimi i KIZ i datës 26 maj.

Pas kësaj është ndjekur hapi i radhës në Komisionin e apelimit, i cili brenda 5 ditëve nga data e ankimimit duhej të dilte me një vendim të formës së prerë (dt. 03.06.2024). Ndërkohë që, gjatë këtyre ditëve jo vetëm që nuk janë njoftuar anëtarët e komisionit për mbledhje dhe nuk është marrë asnjë vendim në shkelje të hapur rregullores, por mësohet se nga rektorati janë njoftuar anëtarët e Senatit Akademik për “shpalljen e procesit të regjistrimit për anëtar të ri të Komisionit të Apelimit”, me arsyen se kryetari i komisionit po në këtë datë paska dhënë dorëheqjen. Në këtë mënyrë, Komisioni Apelimit është inekzistent. Ndërkohë edhe një anëtar tjetër i Komisionit ka dhënë dorëheqjen.

Pra aktualisht, procesi zgjedhor në Universitetin e Elbasanit ka dështuar, KIZ rezulton në shkelje flagrante të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Ligjit të Arsimit të Lartë dhe rregullores zgjedhore, ndërsa Komisioni i Apelimit që shqyrton vendimet flagrante të KIZ, tashmë është jashtë funksionit dhe nuk mund të marrë vendime.

Është gjetur një mënyrë për të zvarritur procesin e dhënies së vendimit ndaj shkeljes së bërë nga KIZ për mos regjistrimin në postin e Rektorit të profesoreshës Majlinda Perriu. Procedura për rikrijimin e Komisionit të Apelimit kërkon kohë, por dokumentet më poshtë vërtetojnë atë çfarë po ndodh akualisht dhe përse nuk mund të përjashtohet nga gara zonja Perriu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat