GJKKO ka marrë vendimin për të dënuar me 11 vite burg, Erjon Kasmi i cili është organizatori i skemës mashtruese të call center.
Gjykata po ashtu ka marrë vendimin edhe për 12 pandehurit e tjerë.
Kujtojmë që nga kjo skemë mashtrimi qindra shtetasve në BE i është shkaktuar një dëm prej 7 milion eurosh.
Nga hetimet e procedimit penal të vitit 2021 ka rezultuar se shtetas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë ftoheshin nga agjentët e subjektit Bluenergycall sh.p.k., shoqëri me lidhje me Kasmin dhe Xhafën, që të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese. Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Sipas prokurorisë, është provuar se një pjesë e parave të depozitave të viktimave kanë përfunduar në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri.