Forcat e Armatosura Shqiptare do të marrin një ndihmë prej 13 milionë eurosh nga Bashkimi Europian.
Këshilli Europian e ka miratuar sot një masë ndihme në kuadër të Mekanizmit Europian të Paqes me vlerë 13 milionë euro, me qëllim “rritjen e efektivitetit operacional të Forcave të Armatosura Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes”, thuhet në një komunikatë për media të BE-së.
Ndihma parashihet “t’i forcojë gjithashtu kapacitetet e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, si dhe në çdo koalicion ndërkombëtar”.
Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, citohet ta ketë vlerësuar këtë vendim si “arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen”. Ai ka thënë se Shqipëria është “në linjë të plotë” me politikën e BE-së për siguri dhe mbrojtje.
“Shqipëria është një partner i besueshëm për sigurinë dhe një vend kandidat për në BE. Vendimi i sotëm është një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Gjithashtu, ai pasqyron vlerësimin tonë për qëndrimin e Shqipërisë në linjë të plotë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”.
BE-ja thekson se vendimi është “rezultat konkret i angazhimit në rritje me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke reflektuar përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”.